Analisti politik Agim Baçi, i ftuar në studion e News 24, komentoi situatën aktuale politike në vend.
Baçi tha se “Shqipëria bëhet” mori mbi 60 mijë vota dhe sërish nxori një deputet, ndërsa shtoi se edhe Lulzim Basha mori mbi 20 mijë vota e nuk fitoi dot asnjë mandat. Sipas tij, kjo tregon se reforma zgjedhore ka nevojë për ndryshim.
“Evidentimi i problemeve të zgjedhjeve të 11 majit është me rëndësi. Largimi i koalicioneve nga Edi Rama i bën dëm opozitës. ‘Shqipëria bëhet’ mori 61 mijë vota dhe mori 1 mandat, Basha mori mbi 20 mijë vota dhe nuk fitoi deputet. Kemi nevojë për reformë zgjedhore. Duhet një reformë e thellë. Mbledhja e fakteve për proces elektoral të vjedhur është diçka e mirë. Integrimi në BE besoj se do bëhet si në NATO, ndodh për çështje strategjike dhe jo reformash. Edi Rama dhe Sali Berisha janë kundërshtarë të drejtësisë. Pavarësia e gjyqësorit duhet të ruhet. Kompromisi i mundshëm mes palëve politike kundër drejtësisë do ishte i frikshëm”, tha ai.
Më tej, Baçi shtoi se SPAK është një institucion, tek i cili shqiptarët besojnë masivisht. Ai tha se SPAK ka qëndruar i fortë përballë presioneve të shumta, për shkak se ka mbështetjen amerikane.
“Derisa SPAK sulmohet, tregon se ka punuar. PD kërkon të shpallë të fajshëm apo të pafajshëm persona, vetëm duke denoncuar. Mund të denoncosh, por drejtësia operon mbi bazën e provave e fakteve. Pa mbështetjen e Amerikës, drejtësia e re do “thyhej”. Uroj që SPAK mos përkulet nga çdo lloj presioni që mund të vijë. SPAK ka bërë punë tepër të mirë. Patjetër që mund të çalojë disi, por nuk mund të jetë perfekt, pasi në këtë vend asgjë nuk është perfekt, por SPAK është shpresë e madhe për shqiptarët dhe po e mbështesin masivisht. Berisha po e fut opozitën në një mision fakt-mbledhës. Sali Berisha nuk do që të hapë debatet e brendshme në PD, por do që të merret me “farsën zgjedhore”. Gjërat duhen rregulluar në zgjedhje, por nuk shërben kjo në PD”, u shpreh Baçi.