Pritja merr fund: Kevin De Bruyne është gati të bëhet një futbollist i Napolit. Pas afro 1 jave negociatash, diskutimesh, mbi detajet e transferimit, mesfushori belg zbarkoi në Itali ku në aeroport e pritën me dhjetëra tifozë. Me forca të rrepta sigurie, De Bruyne u drejtua menjëherë për në Villa Stuart ku do t’i nënshtrohet edhe testeve mjekësorë. Ish futbollisti i Man.City do të firmos më pas një kontratë 2-vjeçare me opsion rinovimi edhe për një tjetër vit.
De Bruyne refuzoi të jetë pjesë e Botërorit për Klube për të shmangur ndonjë dëmtim të mundshëm. Mesfushori do të largohet për pushime, për t’u rikthyer më pas në Dimaro aty ku Napoli do të zhvillojë edhe grumbullimin nga data 17-27 korrik. Në moshën 34-vjeçare, De Bruyne bëhet gati për një aventurë të re, këtë herë në Serie A, në radhët e Napolit.
Belgu ishte një preferencë e trajnerit Conte, një lojtar me shumë eksperiencë ku në karrierën e tij ka fituar jo pak, por 22 trofe, një nga lojtarët më të mirë në rolin e tij në dekadën e fundit. Babi i tij, zbuloi se një rol përcaktues në këtë vendim të mesfushorit ka pasur trajneri Conte, por mbi të gjitha aspekti sportiv, pasi dëshira e tij ishte të luante ende në nivele të larta.
()