“Kujdes! Është një sëmundje shumë ngjitëse”, mjeku veteriner këshilla për murtajën e bagëtive: Ja shenjat që duhet të alarmojnë fermerët

Mëngjesin e sotëm, në “Koha për t’u zgjuar” me Klevin Mukën në News24, ishte i ftuar mjeku veteriner Rushan Vrapi, i cili foli për përhapjen dhe rënien e rasteve të murtajës tek bagëtitë e imëta në Shqipëri, një sëmundje që ka shqetësuar seriozisht rajonin në vitet e fundit.

Vrapi theksoi se murtaja e bagëtive të imëta është një sëmundje jashtëzakonisht ngjitëse, me përhapje të shpejtë dhe pasoja të rënda.

“Ka qenë një problem për rajonin, ku vitin e kaluar Greqia e vuajti rëndë. Sëmundja është e re dhe sëmundshmëria mund të arrijë në 100 për qind, ndërsa vdekshmëria kalon 70 për qind”, tha ai.

Mjeku veteriner sqaroi se nuk ekziston një trajtim specifik për këtë virus. Infektimi ndodh përmes kontaktit të drejtpërdrejtë me kafshët e sëmura, me objekte të ndotura apo përmes sekrecioneve që ato nxjerrin.

Fermerët këshillohen të shmangin futjen e kafshëve të reja ose personave të panjohur në fermat e tyre, pasi kjo rrit rrezikun e përhapjes së sëmundjes. Vrapi theksoi se sëmundja nuk përbën rrezik për njerëzit dhe nuk transmetohet tek njeriu, por mishi i kafshëve të infektuara nuk duhet konsumuar dhe duhet të asgjësohet me groposje, në mënyrë të kontrolluar.

Ai shtoi se virusi është i ngjashëm me murtajën e gjedhit, duke shkaktuar probleme të rënda në traktin respirator. Simptomat te kafshët përfshijnë apatinë, refuzim ushqimi, temperaturë deri në 42°C, diarre dhe lodhje të përgjithshme.

“Këto janë sinjale që duhet të alarmojnë fermerët dhe t’i nxisin të njoftojnë menjëherë autoritetet veterinare”, theksoi ai.
Autoritetet apeluan për vigjilencë të lartë dhe bashkëpunim të ngushtë me veterinerët lokalë për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të kësaj sëmundjeje, e cila rrezikon rëndë tufat e bagëtive në vend.


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×