Në një reagim zyrtar pas komenteve nga përfaqësues të pushtetit ekzekutiv dhe aktorë të medias, Gjykata Kushtetuese ka dalë sot me një njoftim për shtyp, duke theksuar pavarësinë e saj dhe duke dënuar çdo formë ndërhyrjeje apo presioni ndaj vendimmarrjes së saj.
“Gjykata është e pavarur në ushtrimin e funksionit të saj kushtetues dhe nuk ndikohet prej qëndrimeve të jashtme, qofshin nga pushtetet e tjera apo nga vetë media”, thuhet në deklaratë.
Institucioni më i lartë kushtetues nënvizon se, ndonëse vendimet e saj mund të jenë objekt kritikash, çdo përpjekje për të vënë në dyshim autoritetin apo integritetin e saj përbën një cenim të parimeve themelore të shtetit të së drejtës, duke përfshirë ndarjen dhe balancimin e pushteteve.
Reagimi i Gjykatës Kushtetuese:
Duke marrë shkas nga qëndrime dhe reagime të publikuara së fundi në media dhe në rrjete sociale nga përfaqësues të pushteteve të tjera, përfshi atë ekzekutiv, si dhe të vetë medias, Gjykata Kushtetuese siguron publikun dhe palët në proces se ajo është e pavarur në ushtrimin e funksionit të saj kushtetues dhe nuk ndikohet prej tyre në veprimtarinë ose vendimmarrjen e saj.
Gjykata Kushtetuese gjen rastin të ritheksojë se vendimet e saj mund të jenë objekt kritikash, megjithatë është e papranueshme çdo formë ndikimi, sikundër çdo përpjekje për të vënë në dyshim autoritetin dhe reputacionin e saj, qoftë edhe në dukje, çka do të cenonte vetë parimet themelore të shtetit të së drejtës dhe atë të ndarjes dhe balancimit ndërmjet pushteteve.