Emisioni investigativ Vetting, News24
Shteti ua “pakëson” ushqimin jetimëve
Në të gjitha jetimoret në Shqipëri, kryesisht te fëmijët 0-6 vjeç procesi i ushqimit është më i vështirë sepse ka foshnje, të cilat kanë nevojë për ushqim special dhe ky proces është më i komplikuar. Faktikisht ka fëmijë që janë ndarë parakohe nga nëna dhe procesi i ushqimit me gji dhe për këta fëmijë duhet qumësht special. Ushqimi kërkohet orar pa orar dhe nuk dihet se sa fëmijë mund të jenë në strehë pasi disa vijnë drejtpërdrejt nga materniteti.
“Produktet tona të ndara në 6 apo 7 lot-e dhe unë duhet të gjurmoj nga pas 6 apo 7 operatorë. Ku nëse njëri vonon, të sjellë njëri bukën, qumështin, djathin, vezën. Ne jena kriju një zinxhir problematikash ku ai fëmija i vogël nuk don me dit shumë te kjo pjesë. Ai don me dit nëse në drekë do të marrë kaloritë dhe ushqimin e duhur, por jo nëse operatori nuk ka punuar apo nuk ka ardhur në kohën e duhur”, tha për emisionin “Vetting” Drejtoresha e Shtëpisë së fëmijës 0-5 vjeç shkodër.
Prej më shumë se 5 vitesh, Qeveria Shqiptare nuk ka indeksuar kuotën financiare për ushqyerjen e foshnjeve dhe fëmijëve në jetimore, që në vetvete është një skandal. Sipas drejtoreshës Radovani, buxheti është i pamjaftueshëm për nevojat e fëmijëve.
“Buxheti vjetor është 44 milionë lekë të vjetra, ku janë të përfshira shërbimet operative si pagat e punonjësve, pagesa për drita dhe ujë, blerje ushqimesh dhe blerje materiale pastiami”, tha ajo.
Janë me qindra faqe nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, që ndalen te ky problem pasi Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka lënë të njëjtin buxhet për ushqimin ndërkohë që çmimet e ushqimeve brenda 5 viteve janë dyfishuar.
Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit mbështetet edhe nga monitorimet e Avokatit të Popullit, që shprehet se të gjitha jetimoret kanë të njëjtën kuotë shpenzimesh për fëmijët e vegjël për ushqimet. “Është rritur kuota e fëmijëve, janë rritur çmimet në treg, por kjo nuk është reflektuar në rritjen e buxhetit gjë që na vendos në vështirësi”, shprehet znj.Radovani
Në dhjetor 2022, Ministria e Shëndetësisë do të nxirrte urdhëzimin 662, për një ndryshim në udhëzimin nr. 689 të vitit 2018, për nivelin e kuotave të shpenzimeve për ushqime në institucionet publike rezidenciale e komunitarë të përkujdesjes shoqërore. Ky ndryshim i kalonte përgjegjësinë Shërbimit Social Shtetëror për indeksimin e çmimeve të ushqimeve vit pas viti, institucion i cili aktualisht prej dhjetorit 2022 ka përgjegjësi për mosrealizimin e kësaj kuote për fëmijët.
Në këtë rast, përgjegjësi ka edhe Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale që duhet të miratojë kuotën e shpenzimeve për ushqimet pasi është pjesë e buxhetit të saj. “Për ekzaminime mjekësore, analiza janë vetëm 15 mijë lekë të reja. Qoftë për analiza rutinë të përfituesve dhe aktualisht janë 19 përfitues ne nuk mbërrijmë me aq buxhet, imagjino nëse kemi nevojë për një test alergjie a për një analizë më specifike. Analizat që shpesh ne bëjmë kur drejtojmë dokumentat në Komitetin e Birësimeve sic juanë për hepatitin për gjak apo cdo nevojë tjetër, mundohena me këtë 15 mijë lekë të reja. Mendoj që është një buxhet i pamjaftueshëm”, shprehet drejtoresha e “Shtëpisë së fëmijës 0-5 vjeç” Shkodër, Angjela Radovani.
E gjitha kjo procedurë burokratike në pamje të parë fsheh një detaj shumë të rëndësishëm. Praktikisht ky udhëzim merr fuqi nga Vendimi i Këshillit të Ministrave me Nr. 518, datë 4.9.2018 për Shërbimet e Kujdesit Shoqëror Komunitar e Rezidencial, sipas pikës 71, “nivelet e kuotave të shpenzimeve të përkujdesit shoqëror në institucionet publike rezidenciale dhe komunitare indeksohen çdo vit sipas indeksit të çmimeve të konsumit, nëngrupi “Ushqime dhe pije joalkoolike”.
Në fakt, duke mos u indeksuar këto çmime, ulet buxheti për këto investime që të përqendrohet në seksione të tjera dhe të mos harrojmë. Ky indeksim nuk është vetëm për fëmijët, por për të gjitha llojet e qendrave rezidenciale për përkujdesje në të gjithë Shqipërinë.
Këto janë kuotat aktuale:
Për fëmijët 0-3 vjeç në masën 360 lekë
4-5 vjeç në masën 400 lekë
6-11 vjeç në masën 490 lekë
11-15 vjeç në masën 600 lekë
15-18 vjeç në masën 600 lekë
Avokati i Popullit i ka rekomanduar Ministrisë së Shëndetësisë marrjen e masave të menjëhershme për miratimin e standardeve të shërbimeve të përkujdesjes shoqërore në institucionet e përkujdesjes shoqërore rezidenciale publike dhe private për fëmijët e grupmoshës 0-6 vjeç.
Indeksimi është vetëm njëri prej problemeve pasi jetimoret përballen edhe me burokraci në sigurimin e ushqimit në kohë. Këto institucione kanë varësi të dyfishtë, nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes sociale dhe nga Bashkia.
“Varësia jonë është e dyfishtë, buxheti është i Ministrisë ndërsa organika dhe godina është varësi e Bashkisë. Domethënë Bashkia ka tagrin të punësojë apo largojë nga puna stafin dhe pjesën e godinës, Ministria ka buxhetin”, shprehet Radovani.
Kjo ndarje e tillë i bën më të vështira proceset e ndarjes së ushqimit një maratonë burokratike.
Problemet me tenderat e ushqimeve janë seriozë pasi lidhen drejtpërdrejt me ushqyerjen dhe vonesat tashmë i paraprijnë situatave nga më të ndryshmet.
“Shoh një tejzgjatje të procedurave gjë që kjo grupmoshë, mosha 0-5 ka nevoja e dinamika që ndryshojnë vazhdimisht dhe ne nuk mund të presim burokracira të tilla. Nëse i referohemi vitit konkret ne jemi në qershor të vitit 2025 dhe akoma nuk kemi kontratat e lidhura përsa i përket ushqimeve që domethënë shohim një zgjatje të procedures”, shprehet drejtoresha e Shtëpisë së Fëmijëve në Shkodër.
Qendra e Fëmijëve Shkodër ka një buxhet vjetor prej 44 milionë lekësh të vjetra të cilat përdoren për pagat e punonjësve, ushqime, ujë, drita, materiale pastrimi dhe të tjera të domosdoshme. Ky buxhet kaq i vogël i kufizon përgjegjësitë e institucionit që të kryejnë aktivitete si eskursione, që fëmijët të ndihen të lirë dhe të shohin përtej portës që qëndron gjithnjë e mbyllur.
“Mendoj që duhet menduar diçka nga shteti minimumin për transportin. Ne si institucion duhet të kemi një automiet në dispozicion, qoftë për emergjenca, qoftë për nevoja ne duhet të kemi akses. Ajo që më shpesh kemi vështirësi është kur ndodhemi përpara emergjencave mjekësore sepse jo çdo nevojë për fëmijën është ashtu siç parashikohet nëpërmjet rekomandimeve shtetërore. Mosha e fëmijëve tonë nuk të jep kohën të procedosh nëpërmjet hallkave të institucioneve shtetërore dhe ne detyrohemi t’i drejtohemi shërbimeve private”, theksoi Radovani.
Ndarja e buxhetit në zëra nuk është bërë për shëndetësinë, ç’ka sjell vështirësi ekonomike dhe emocionale për kujdestarët apo drejtuesit e institucionit.
Për vitin 2025, fondi për emergjencat shëndetësore është shumë i ulët, ku përfshihen analizat apo vitaminat për arsye se fëmijët janë në moshën më delikate dhe kërkojnë përkujdesjen maksimale.
“Aktualisht, këtë vit kemi vetëm 60 mijë lekë të reja, sepse për shkak të buxhetit që nuk na mjafton, jemi detyruar të reduktojmë vlerën e medikamenteve”, u shpreh drejtoresha Radovani.
()