Kandidati i Partisë Mundësia, Erald Kapri, i cili fitoi mandatin e deputetit në qarkun e Tiranës në zgjedhjet e 11 majit, ka komentuar procesin e rinumërimit të votave që pritet të zhvillohet për këtë qark. I ftuar në News24, Kapri u shpreh i bindur se diferenca e votave nuk do të cenohet dhe se procesi do të përforcojë legjitimitetin e rezultatit.
“Rinumërimi nuk ndryshon gjë, siç pamë edhe në rastin e Dibrës. Në këtë fazë askush nuk guxon të bëjë shkelje, sepse pasoja ligjore janë të rënda. Besoj se do jetë në favorin tonë,” u shpreh ai.
Kapri theksoi se zgjedhjet nuk ishin të barabarta për shkak të përdorimit të pushtetit nga mazhoranca. Ai ngriti shqetësimin se çështja nuk qëndron te Kodi Zgjedhor, por te mënyra si mazhoranca ushtron ndikimin e saj për të fituar vota.
I pyetur për bashkëpunime të mundshme në Kuvend me forca të tjera të reja politike, Kapri u tregua i hapur, por theksoi se do të varet nga “kauza dhe besueshmëria”. Ai nënvizoi se Partia Mundësia do të mbështesë vetëm nisma që kanë drejtësi dhe qëllim të qartë.
“Rezultati i prodhuar është mjaft i lartë, bëhet fjalë për 1240 vota diferencë për mandatin që morëm ne duke e mbajtur atë mandat në opozitë, të cilin e synonte edhe PS. Çdo rinumërim që është bërë në rastet e tjera, e pamë si në rastin e Dibrës së fundmi që nuk ka ndryshuar asgjë. Në rinumërim nuk tentojnë të bëjnë më idiotësira, sepse edhe numëruesit e dinë që kanë pasoja të rënda ligjore dhe nëse vërtetohet se ka shkelje shkojnë në burg, ndaj nuk besoj se do e bëjnë këtë gjë. Nga ajo që kemi parë ka qenë një proces i rregullt numërimi përveç rasteve të vogla. Procesi i rinumërimit do jetë në favorin e partisë Mundësia. Zgjedhjet e 11 majit ishin të pabarabarta për arsyen se si mazhoranca përdorte pushtetin për zgjedhjet.
Sa i përket bashkimit me forcat e tjera të reja në parlament, vlen më shumë kauza dhe besueshmëria. Do ta shikojmë në vijim. Nëse kauza do jetë e drejtë do jemi edhe ne aty që do e mbështesim. Por sipas nesh Kodi Zgjedhor është gjëja e fundit që duhet të ndryshojmë, për ne duhet të ndryshojë gjithë ndikimi i pushtetit që përdor mazhoranca për të fituar pavarësisht sistemit zgjedhor”, tha ai mes të tjerash.