“Vetting”/ Jetimët pa status dhe pa të ardhme! Ligji i vitit ’96 që i lë 95% të tyre jashtë mbështetjes. Pse shteti pengon birësimin?

Ligji i pandryshuar për jetimët
A e dini se 97-98% e fëmijëve jetimë në Shqipëri nuk e kanë të njohur zyrtarisht statusin e jetimit? Në këtë mënyrë, këta fëmijë humbasin të drejtën për mbështetje nga shteti. Vit pas viti me shumicë të thjeshtë votash ndryshohen ligje dhe akte nënligjore, por një ligj që nuk ka ndryshuar që prej datës së miratimit të tij është ai i statusit të jetimit. Ky ligj i miratuar që prej vitit 1996 nuk ka ndryshuar pavarësisht pabarazive që shkakton për jetimët. “Aktualisht ekziston ligji i vitit 1996 që është për fëmijët jetim, ligji i statusit të jetimëve dhe duhet thënë gë ky ligj i denigron 95% të fëmijëve jetim”, shprehet Lulzim Resuli.

Sipas ligjit Nr.8153, datë 31.10.1996, statusin e jetimit e përfitojnë personat me moshë nga 0-25 vjeç të lindur jashtë martese, që nuk kanë gjallë asnjërin nga prindërit apo janë të braktisur dhe ata që me vendim të formës së prerë të gjykatës u është hequr e drejta prindërore e të dy prindërve ose u është hequr e drejta prindërore për njërin prind dhe prindi tjetër nuk jeton. Fëmijët e të pafatëve marrin një status që i pengon rrugëtimin në shoqëritë paragjykuese, statusin e jetimit. Por në të vërtetë nuk janë jetim vetëm këta fëmijë, janë edhe ata të cilëve u ka ndërruar jetë njëri nga prindërit.

 Lulzim Resuli, Kryetari Shoqatës Kombëtare të Jetimëve Shqipëri për “Vetting” u shpreh se një fëmijë që i ka të dy prindërit por nuk ka marrë atë “Po”, quhet jetim. Një fëmijë i cili e ka humbur prindin e vet, i ka ndërruar jetë babai nuk quhet jetim. Ky handikap i madh ligjor na ka lënë jashtë një kategori prej 95% të jetimëve.

Përpos rraskapitjes emocionale, fëmija dhe prindi që jeton, përballen me vështirësi të shumta ekonomike dhe shoqërore që i ndjekin hap pas hapi. Sipas monitorimit të Shërbimit Social Shtetëror rezultoi se mbi 35 mijë familje janë konsideruar familje në nevojë, prej të cilave rreth 8 mijë janë konsideruar familje ekstremisht të varfra.

“Ne po punojmë dhe me ligjin që është ligji për statusin e jetimit. Është një ligj që nuk ka pasur asnjë ndryshim gjatë 10 viteve të fundit dhe një ekip po punohet që ky ligj 81/53 gë është për statusin e jetimit të jetë një ligj i ndryshuar dhe t’a quajmë ndryshe si një ligj të kujdestarisë. Cdo fëmijë që është nën kujdesin e njërit prind të ketë një trajtim preferencial pagesë, të mbështetjes ekonomike por edhe të gjithë benefiteve të tjera të shumfishuara”, u shpreh Drejtori Rajonal i Shërbimit Social Shtetëror për qarkun e Tiranës.

 Varfëria e kalon kufirin ekonomik kur nis të prekë marrëdhëniet njerëzore dhe është pasojë e politikave keqqeverisëse të cilat pasi normalizohen e zhysin individin nën një sistem nga, i cili s’ka më mundësi të dalë, kjo sepse tashmë qëllim është mbijetesa.

Në një shtet të së drejtës do të kishin përparësi politikat sociale, por në Shqipërinë e tre dekadave të fundit qytetarët janë lënë në gjendje të mjerueshme ekonomike, e pandashmërisht sociale dhe kulturore.

“Varfëria ekonomike është e lidhur me të gjitha llojet, formt e varfërisë për këtë fëmijë në të ardhmen. Kështu që në këtë pikë duhet të parashikohet që divorci është një fenomen i pranishëm dhe I shtuar shumë në 5 vjecarin e fundit dhe kemi nevojë të kemi masa mbështetëse për këto familje pas divorcit”, tha aktivistja e njohur Suela Koçibellinj.

 Sipas një vendimi të Këshillit të Ministrave në vitin 2019, jetimët që nuk janë në institucione deri në çastin e punësimit të tyre do të përfitojnë masë të ndihmës ekonomike prej 3 mijë lekësh në muaj. Kjo shumë të ardhurash është asgjë veçse një politikë e ndërmarrë për t’u justifikuar që I ndihmojnë qytetarët në nevojë, por në të vërtetë 3 mijë lekë nuk janë të mjaftueshme as për mbijetesë.

Diferenca mes fëmijëve jetimë që nuk e kanë statusin dhe atyre që njihen ligjërisht si jetimë, është se këta të fundit nëse janë nën përkujdesjen e prindit përfitojnë një shumë prej 10 mijë lekësh të reja në muaj. Shteti duket se e sheh qytetarin e tij si qenie të pandashme nga varfëria, pa të cilën nuk mund të frymojë, dhe kështu ia “lehtëson” rrugëtimin jetësor duke e mbytur në mjerim, sepse 10 mijë lekë të reja janë të pamjaftueshme për të siguruar jetesën.

“Ne flasim që nga 2022 buxheti për ndihmën ekonomike për të gjithë fëmijët pa kujdes prindëror është trefishuar, pra nga një pagesë që merrnin në tre mijë lekë tëreja, është cuar në 10 mijë lekë të reja”, shprehet Muharremi.

Në Shqipëri ndodhen 9 qendra të shërbimit rezidencial për fëmijët jetimë të cilat ofrojnë mundësinë e rritjes dhe edukimit të fëmijëve.

Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit Social Shtetëror numri i fëmijëve ndër vite në qendra me shërbim rezidencial ka qenë mbi 500 fëmijë ku vetëm përgjatë vitit 2024 statusin e jetimit e kanë përfituar 255 persona. Jetimët janë dërguar në këto qendra sociale që të jetojnë në kushte të mira dhe të kenë mundësi përshtatjeje në shoqëri, por duhen krijuar kushtet për emancipimin ekonomik për mbarë shoqërisë që të preken dhe jetimët.

 Aktualisht në Shqipëri mund të ekzistojnë mbi 20 mijë fëmijë jetim, ndërsa në bazë të ligjit kanë të drejtën të quhen 200, 300 deri në 1000 fëmijë në një afat kohor prej 16 apo 20 vitesh, që kanë marrë statusin e jetimit”, theksoi Kryetari Shoqatës Kombëtare të Jetimëve Shqipëri.

 “Sot mendoj që kemi më pak jetimë në institucione por jo nuk ka ulur numrin e jetimëve në total në Shqipëri. Sot kemi arsye të tjera sociale dhe demografike që e kanë shtuar faktorin se pse ne sot kemi jetim të cilët nmdoshta nuk janë strehuar në institucione por gjithsesi janë jetim”, tha për Vetting Suela Koçibellinj.

Dështimi i qeverisë me Deinstitucionalizimin
Në momentin që një fëmijë gjendet brenda jetimores, problemet më të rëndësishme si siguria dhe ushqimi janë zgjidhur, por tashmë me zhvillimin e fëmijës paralelisht zhvillohet një problem madhor, dhënia e një modeli.

“Një fëmijë po rritet në kushtet e institucionit, po rritet në një jetë kolektive, me 18 apo 1 ë përfitues trë tjerë, po rriten me disa figura që janë me turne që ikin dhe vijnë dhe po rriten pa modelin e familjes”, u shpreh Angjela Radovani. Qendra e Fëmijëve në Shkodër akomodon fëmijët të grupmoshës 0 deri në 5 vjeç dhe pasi mbushin moshën ata dërgohen në një qendër tjetër, larg fëmijëve apo kujdestarëve me të cilët janë rritur. Por vetë kalimi nga një institucion në tjetrin nuk ndikon pozitivisht te fëmija. “Aktualisht unë kam në institucion një të mitur 7 vjeç i cili ka dhë vëllain 4 vjeç dhe nëse ne këto i ndajmë normalisht do të shkaktojmë një traumë tjetër tek fëmijët. Po flas për dy vëllezër lidhja e të cilëve është aq e fortë sa ata nuk flenë dot pa njëri-tjetrin, nuk ushqehen dot nëse vëllai tjetër nuk ushqehet”, dëftoi Radovani.

Kjo pasi qellimi është që ky fëmijë të rikthehet te familja kur prindërit i kanë sjellë për arsye ekonomike te Qendra ose të birësohen te një familje e re. “Në fakt ka plot ciftë që duan të birësojnë, ka plot kërkesa “u shpreh për “Vetting” drejtoresha e qendrës rezidenciale për fëmijët e moshës 0-5 vjeç.

 Në vitin 2020, Qeveria Shqiptare do të miratonte planin kombëtar të deinstitucionalizimit 2020-2022 që kishte si synim eliminimin e institucionalizimit të fëmijëve në këto qendra. Ajo që ka qenë probleme para 5 vitesh, qendron edhe sot. Të dhënat e siguruara nga ky plan zbulojnë se problemet janë të shumta. Është vetë qeveria, e cila pranon se efektet e institucionalizimit për fëmijët madje edhe kur institucionet në fjalë kanë kushte të mira materiale dhe staf të kualifikuar, mund të përfshijnë shëndet të dobët fizik, vonesa të rënda zhvillimi, si dhe dëme potencialisht të pakthyeshme psikologjike.

Sipas planit kombëtar të deinstitucionalizimit 2020-2022, shërbimet aktuale të ofruara në institucionet rezidenciale janë fokusuar te përkujdesja fizike dhe jo te zhvillimi individual. Në thelb, deinstitucionalizimi nuk është mbyllje institucionesh, por mënyrë e re për të menduar kujdesin për më të pambrojturit, me theks tek jeta, jo vetëm mbijetesa. Një problem që evidentohet nga vet qeveria është fakti se programet dhe shërbimet në institucionet aktuale rezidenciale janë ngritur për t’i shërbyer fëmijëve jetimë biologjike dhe jo fëmijëve të abuzuar, shfrytëzuar, neglizhuar apo me sjellje të dëmshme.

Varfëria është një ndër elementët, që përmendet shumë pak në këto probleme, kur në fakt një nga arsyet është se disa prindër nuk kanë mundësi financiare. Në raportin e monitorimit nga Avokati i Popullit vendoset theksi te problemet financiare që kanë prindërit dhe sugjerohet një paketë financiare, që fëmijët të mos ndahen nga prindërit për shkak të këtyre arsyeve. Ky raport i publikuar në vitin 2024 evidenton gjetje, që rrëzojnë propagandën qeveritare.

Shtyrja e afatit kohor për zbatimin e planit të deinstitucionalizimit është një element që tregon vështirësinë e këtij procesi, që është një dështim, kostoja e të cilit bie mbi të ardhmen e fëmijëve me nevoja.

Sipas raporteve zyrtare, deinstitucionalizimi ka funksionuar vetëm në drejtim të largimit të fëmijëve në  institucione të tjera përkujdesjeje rezidenciale për fëmijët e moshës shkollore dhe për efekt birësimi, e jo për arsye të kthimit të tyre në familjet biologjike ose familjet kujdestare të fuqizuara ekonomikisht.

Kalimi i fëmijëve nga një institucion në një tjetër, larg familjeve biologjike, pra në qytete të tjera të Shqipërisë, krijon probleme ekonomike e sociale dhe vështirësi në komunikimin e kujdestarisë së fëmijës. Rezultatet e dobëta evidentohen edhe përgjatë vitit 2024, ku numri i rikthimeve në familje biologjike është ë fëmijë dhe ky numër është ulur krahasuar me vitet më parë.

Shteti pengon birësimin
Për të realizuar deinstitucionalizimin duhet të funksionojë birësimi, që është etapa finale e sigurimit të të ardhmes për një fëmijë nga jetimorja. Në një vend ku fëmijët e braktisur kanë nevojë për më shumë sesa vetëm strehë, kanë nevojë për dashuri, siguri dhe të ardhme, shteti shqiptar, siç rezulton nga vetë auditimi i Kontrollit të Lartë të Shtetit, ka dështuar në mënyrë sistematike të garantojë të drejtat e tyre më themelore. Procesi i birësimit, që në vetvete duhet të përfaqësojë një dritë shprese, është i përshkruar nga boshllëqe ligjore, mungesë transparence dhe paaftësi institucionale për të garantuar interesin më të lartë të fëmijës. “Procesi i birësimit për ato fëmijë që u jepet mundësia është bekim! Historia dhe eksperienca më ka treguar që jo gjithmonë, ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm dhe me procesin e birësimit, duhet të filtrojmë shumë irë familjet birësuese”, tha Rodovani.

Disa nga mangësitë ligjore janë thelbësore pasi mungon një kufi maksimal për moshën e birësuesve, nuk ekzistojnë kritere të qarta ekonomike dhe nuk përcaktohet qëndrueshmëria martesore si kusht për birësim. Në Shqipëri, përgjegjës për këtë proces është Komiteti Shqiptar i Birësimeve, i cili është në varësi të Ministrisë së Drejtësisë.  Ky institucion është krijuar në vitin 1993 dhe pothuajse në 3 dekada numri i fëmijëve të birësuar është 1755. Numri relativisht i ulët është tregues se vet procedura e birësimit ka probleme ligjore pasi vetë Komiteti operon pa strategji të qartë, pa monitorim të efektshëm dhe me burime buxhetore minimale, vetëm 0.14% e buxhetit të Ministrisë së Drejtësisë. Edhe pse janë licencuar agjenci të huaja për birësim ndërkombëtar, procesi i kontrollit dhe mbikqyrjes së tyre mbetet i vakët, duke hapur rrugë për keqpërdorim dhe mungesë llogaridhënieje.

Auditi vëren edhe raste konkrete si ai i një të miture, e cila u birësua dhe më pas u rikthye sërish në institucion, duke dëshmuar qartë se sistemi nuk funksionon dhe fëmijët shpesh përfundojnë si produkte të një procedure, jo si njerëz me të drejta.

Kur institucionet që kanë detyrën ligjore për të mbrojtur më të pambrojturit janë vetë pjesë e problemit, atëherë dëshmia bëhet e rëndë dhe e padiskutueshme, shteti shqiptar nuk mendon për jetimët. Ky konkluzion nxirret nga analiza e dokumenteve zyrtare të vetë shtetit, raporte që vërtetojnë mungesën e vullnetit, buxhetit, përkushtimit dhe mbi të gjitha, humanizmit.

()


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×