Teksa murtaja e ruminantëve të vegjël, një sëmundje shumë ngjitëse që prek dhitë dhe delet, është konfirmuar në disa zona të vendit, Prefekti i Qarkut Korçë, Nertil Jole, zhvilloi sot një takim pune për masat parandaluese dhe për reagimin e koordinuar ndaj kësaj emergjence veterinare.
Takimi u zhvillua online dhe në të morën pjesë zëvendësministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Arian Jaupllari, sekretari i përgjithshëm i ministrisë Dritan Palnikaj, si dhe prefektë e kryebashkiakë nga qarqe të ndryshme të vendit. Në fokus ishin rastet e para të konfirmuara të murtajës në territorin shqiptar, të identifikuara që në fillim të muajit qershor.
Prefekti Jole konfirmoi zyrtarisht konstatimin e një vatre në një fermë në Devoll, ku është vendosur izolimi i plotë i zonës dhe është marrë vendimi për asgjësimin e 175 krerëve të prekur.
“Për këtë situatë kërkova, në mënyrë të posaçme, angazhim dhe bashkëpunim të ngushtë të strukturave të qarkut me shërbimin veterinar rajonal, si dhe aktivizimin e menjëhershëm të njësive administrative dhe kryepleqve për të shpërndarë informacion në komunitet, për të monitoruar territorin dhe për të ndihmuar në marrjen e masave konkrete,” deklaroi Jole.
Ai theksoi gjithashtu domosdoshmërinë e vendosjes së masave të biosigurisë në fermat që mbajnë ruminantë të vegjël, kontrolle të shtuara nga policia e shtetit dhe ajo bashkiake për ndalimin e lëvizjes së pakontrolluar të kafshëve, si dhe zbatimin rigoroz të rregullave në tregjet e gjësë së gjallë.
“Është i domosdoshëm identifikimi dhe përcaktimi i vendeve të sigurta për groposjen e kafshëve të ngordhura, në përputhje me kriteret ligjore dhe teknike, ndërkohë që strukturat bashkiake duhet të jenë të përgatitura për të ofruar ndihmë logjistike dhe operacionale në rast përhapjeje të mëtejshme,” u shpreh Jole.
Në fund të deklaratës, Prefekti i qarkut të Korçës siguroi qytetarët se nuk ka vend për panik, por bëri thirrje për vigjilencë të shtuar, informim të saktë dhe ndërgjegjësim të plotë të fermerëve dhe komunitetit, si mënyra më efikase për të mbrojtur shëndetin e kafshëve dhe atë publik në të gjithë qarkun.