Në rubrikën “Opinion” ditën e sotme në News24 ishte i ftuar gazetari Erl Murati, i cili ka komentuar në lidhje me zhvillimet e fundit politike në vend.
Ai ka komentuar mbi faktin se Agron Shehaj ka propozuar që partitë e opozitës të dalin me një kandidat të përbashkët për Bashkinë e Tiranës , propozim që u mbështet nga kreu i PD Sali Berisha, me kushtin që kandidati të jetë politik.
Murati u shpreh se bashkimi i opozitës shihet si një hap natyral që duhet të hidhet, por megjithatë hodhi dyshime se sa kjo gjë do të konkretizohet në momentin që do të diskutohet në lidhje me emrat konkretë.
“Jemi ende herët për të folur për një temë të tillë.
Më 11 maj opozita nuk ia doli dot që të bashkohej, kishim një koalicion, por kishim edhe parti të ashtuquajtura të reja.
Çdo iniciative që vjen nga opozita për bashkim të kampit opozitar është një gjë pozitive.
Të gjithë aktorët kryesorë politikë të opozitës bien dakord për unifikim, por problemi nis në diskutimin për emrat konkretë”, tha ai.
Murati shtoi se PS si fituese e zgjedhjeve të 11 majit ka tashmë luksin që të ketë në fokus të tjera gjëra, siç është përzgjedhja e kandidatëve për zgjedhjet e pjesshme vendore, gjithmonë duke marrë të mirëqenë që këto zgjedhje mund të mbahen në qarkun e Tiranës.
“Në radhë të parë ka një paqartësi për atë se çfarë do të ndodhë në Tiranë, nisur nga pikëpamja e numrave si dhe nga ajo e interesave. Vëmendje kryesore është në Tiranë, nëse do të ketë zgjedhje të parakohshme dhe kur do të mbahen ato.
PS e natyrshme që si fituese në zgjedhjet e 11 majit, ka fokus tjetër, jo tek 11 maji si opozita sepse e quan si diçka të tejkaluar.
PS është e avantazhuar dhe ka luksin të mendojë tashmë përveç rezultatit të zgjedhjeve të përgjithshme, duke kaluar në kandidaturat e mudshme, ndryshe nga sa ndodh me Partinë Demokratike”, u shpreh ai.
Mbi rinumërimin e votave, ai u shpreh se nuk pret që të kemi një ndryshim të rezultatit.
“Nuk besoj se do të ketë përmbysje të rezultatit. 1.8 mln vota në Shqipëri, edhe 1.8 mln kokrra orizi të numërosh sërish nuk do të dalin njëlloj. Pra do të ketë disa ndryshime por nuk parashikoj që rinumërimi i votave të sjellë ndryshim të rezultatit të zgjidhjeve të 11 majit”, ka përfunduar Murati.
()