Klevis Balliu, shefi i organizimit në PD, i ftuar te “Kjo Javë” në News24, të moderuar nga Nisida Tufa, u shpreh se nuk mund të ketë asnjë lloj analize kur bëhet fjalë për farsë elektorale në zgjedhje.
Balliu shprehet se opozita është përballur me krimin e organizuar dhe jo me parti politike. Sipas tij, cilido të jetë personi në krye të PD, në qoftë se mungesa e drejtësisë dhe e shtetit ligjor vijon, asnjë opozitë në botë nuk mundet të arrestojë dhe as të marrë armët në zgjedhje.
Nisida Tufa: Çfarë prisni ju nga rinumërimi i votave?
Klevis Balliu: Në të gjithë rinumërimet do të ngrihen edhe më shumë prova dhe fakte. Ne disponojmë shumë më tepër se ato që kemi bërë publike. Ajo që na shqetëson më shumë se Shqipëria është një vend nën regjim.
Nisida Tufa: Megjithatë, a ka një analizë në PD për të marrë edhe përgjegjësi për humbjen në zgjedhje? Apo do të ndodhë më vonë?
Klevis Balliu: Shumë drejtues të PD, mes tyre edhe kandidatë, po denoncojnë çdo ditë atë që është bërë në zgjedhje, dhe të denoncosh kriminelë, nuk është aq e thjeshtë. Çfarë analize të bëjnë ata në këtë situatë. Strukturat e opozitës i denonconin veprimet e Troplinëve në Durrës, teksa për ta kishte urdhër arreste dhe u fshehën….
Nisida Tufa: Unë e kisha fjalën në analizën e brendshme për rezultatin…?
Klevis Balliu: Asnjë parti nuk është perfekte, as PD. Kur flasim për farsën e zgjedhjeve në Shqipëri, nuk ka lidhje asnjë analizë partie. Ato bëhen njëherë në 6 muaj, edhe në PD. Ne mund të bëjmë analizë çdo ditë, por nuk e ndryshon faktin që mafia do të vazhdojë të bëjë vota për qeverinë. Cilido të jetë personi në krye të PD, në qoftë se mungesa e drejtësisë dhe e shtetit ligjor vijon, asnjë opozitë në botë nuk mundet të arrestojë dhe as të marrë armët në zgjedhje. Ne jemi përballur me krimin e organizuar dhe jo me parti politike.
Nisida Tufa: Çfarë shihni ku ju nuk merrni sinjal nga drejtësia?
Klevis Balliu: Nuk pres asnjë gjë, pasi nuk kemi drejtësi të pavarur. Nuk ka ndërmarrë asnjë hap për të arrestuar kriminelë elektoralë. Opozita ka zgjedhur denoncimin dhe kërkesën komunitetit ndërkombëtar për të rikthyer zgjedhjet e lira dhe të ndershme.
Nisida Tufa: Cilat ishin pritshmëritë tuaja për rezultatin?
Klevis Balliu: Unë kisha pritshmëri të larta në zona të ndryshme, por pikërisht aty ku ishin godit më shumë bandat, nuk ndodhi. Unë nuk mund të parashikoja që një drejtësi të fshehë fletëarreste, apo një aleancë mes qeverisë, krimit të organizuar dhe drejtësisë për të zhdukur demokracinë dhe të ekzekutohet opozita. Nëse do të kishte zgjedhje të lira, ju garantoj se PD do të ishte fituese.
()