Një person u arrestua në Pikën e Kalimit Kufitar të Kapshticës, pasi tentoi të fuste në vendin tonë nga Greqia disa bagëti të imta pa dokumentacionin shoqërues.
Gjatë kontrollit të kryer në doganë nga shërbimet e Policisë Kufitare shtetasit me iniciale K.F., iu gjetën në automjet disa dele, ndërsa mësohet se bagëtitë iu dorëzuan autoriteteve veterinare për kryerjen e analizave, nëse janë të prekura nga ndonjë sëmundje infektive. Mbi të arrestuarin rëndon akuza “kontrabandë me mallra të licensuara”.
Drejtoria e Kufirit dhe Migracionit Korçë ka intensifikuar kontrollet lidhur me transportin e bagëtive të imta nga vendet fqinje, pas konfirmimit të rastit të parë të murtajës te bagëtitë e imta në një fermë në fshatin Shuec të Devollit. Gjithashtu bëhet e ditur se po kryen kontrolle në të gjitha Pikat e Kalimeve Kufitare të qarkut, për të ndaluar transportimin e paligjshëm të bagëtive.
Më 13 qershor Shërbimi Veterinar Rajonal i Korçës ndaloi lëvizjen dhe shtegëtimin e bagative të imta në një distancë 3 kilometra nga ferma në fshatin Shuec, që është infektuar me murtajë. Gjithashtu është ndaluar edhe tregtimi i dhenve dhe dhive në pazaret e gjësë së gjallë në Korçë.
()