Sot shënohet Dita Botërore e Dhurimit të Gjakut, një ditë ndërkombëtare e dedikuar sensibilizimit për rëndësinë e dhurimit vullnetar dhe të sigurt të gjakut. Kjo ditë synon të nderojë të gjithë ata që dhurojnë gjak për të shpëtuar jetë dhe të rrisë ndërgjegjësimin mbi nevojën e vazhdueshme për gjak dhe produkte të gjakut në sistemet shëndetësore.
Miliona pacientë në të gjithë botën mbështeten në transfuzionet e gjakut sistematikisht; çdo pikë gjaku, çdo dhurim është një akt madhor në shërbim të jetës dhe të ardhmes.
Fokusi i Ditës Botërore të Dhurimit të Gjakut 2025, është: “Dhuroni gjak, jepni shpresë: Së bashku shpëtojmë jetë”.
Objektivat e fushatës sipas Institutit të Shëndetit Publik në Shqipëri:
Rritja e ndërgjegjësimit publik në lidhje me nevojën kritike për dhurime gjaku dhe plazme, dhe ndikimin që ato kanë në jetën e pacientëve;
Inkurajimi i dhuruesve të rinj të gjakut (krahas atyre ekzistues) për të qenë koherent, duke ndihmuar në sigurimin e një furnizimi të qëndrueshëm dhe të mjaftueshëm me gjak;
Nxjerrja në pah e ndikimit pozitiv të dhuruesve të gjakut në shëndetin dhe mirëqenien e të tjerëve dhe promovimi nëpërmjet shembullit konkret i vlerave të solidaritetit dhe dhembshurisë;
Sensibilizimi dhe mobilizimi i qeverive dhe partnerëve të zhvillimit për të investuar dhe mbështetur programet kombëtare të gjakut, për të arritur akses universal në transfuzion të sigurt në të gjithë botën.
Rritja e ndërgjegjësimit global për nevojën për gjak të sigurt dhe produkte gjaku për transfuzion;
Mbështetja e shërbimeve kombëtare të transfuzionit të gjakut, organizatave të dhuruesve të gjakut dhe organizatave të tjera joqeveritare në forcimin dhe zgjerimin e programeve të tyre të dhurimit vullnetar; përforcimi i fushatave në çdo lloj niveli.