Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kurbin kanë arrestuar në flagrancë shtetasin F. M., 33 vjeç, banues në Fushë-Milot, Kurbin, pasi dyshohet se ka dhunuar një 70-vjeçar gjatë një konflikti për motive të dobëta.
Sipas njoftimit zyrtar, F. M. ka goditur të moshuarin me sende të forta, duke i shkaktuar dëmtime të rënda. Aktualisht, 70-vjeçari ndodhet në Spitalin e Traumës në Tiranë, nën kujdesin e mjekëve.
Ngjarja mori një tjetër kthesë brenda ambienteve të paraburgimit, ku shtetasi F. M. ka goditur murin me kokë, duke pësuar lëndime të lehta. Ai u transportua për ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal të Lezhës, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën, nën vëzhgimin e stafit mjekësor dhe nën shoqërimin e forcave të Policisë.
Policia e Kurbinit po vijon hetimet për të dokumentuar plotësisht ngjarjen dhe për të ndjekur procedurat ligjore ndaj autorit të dyshuar të dhunës.