Konflikti mes Izraelit dhe Iranit, duket se ka prekur edhe botën e futbollit. Mehdi Taremi, sulmuesi i kombëtares iraniane dhe Interit ka mbetur i bllokuar në Teheran dhe nuk mund të udhëtojë dot për të bashkuar me ekipin e Interit në Los Angeles për Kupën e Botës për Klube. Hapsira ajrore iraniane është mbyllur për shkak të bombardimeve izraelite. Taremi, i cili ndodhet i sigurt në Teheran, nuk do të mund të marrë pjesë në turneun në SHBA dhe nuk do të kthehet në Itali.
Skuadra e Interit u interesua fillimisht të mësonte gjendjen e Taremit e më pas të kontaktonte me autoritetet iraniane për të mësuar më shumë mbi mundësinë që sulmuesi të udhëtonte drejt SHBA, por duket se situata delikate dhe rreziku I sulmueve të vazhdueshme mes Iranit dhe Izraelit ka bërë që për momentin çdo destinacion ajror në Lindjen e Mesme të anulohet.