Një nga lojtarët më të rëndësishëm të projektit të Egnatias në këto vite, mesfushori Arbin Zejnullai, i ka dhënë lamtumirën ekipit rrogozhinas në mbyllje të kontratës së tij. Edhe pse klubi i ofroi rinovimin, ai vendosi që të shkëputej nga skuadra e Edlir Tetovës, për të vijuar një aventurë të re në karrierë.
Por me sa duket, aventura e re do të jetë një kthim mbrapa aty ku u bë një emër i njohur në rajon. “Infosport.mk” bën të ditur se Zejnullai është shumë pranë firmës me klubin e Shkëndijës së Tetovës, nga akademia e të cilit ka dalë dhe ka luajtur për disa vite.
Futbollisti tetovar ka qenë pjesë e Shkëndijës deri në vitin 2021, para se të shkonte për disa muaj te Lokomotiva Zagreb e më pas te Rabotniçki, duke firmosur më pas për rrogozhinasit në vitin 2022. Tani, për të vjen kthimi në “shtëpi”, për të vazhduar karrierën me kampionët e Maqedonisë së Veriut.