Deputetja e PD, Ina Zhupa gjatë fjalës së saj në seancën e sotme plenare tha se Kuvendi po mbyll punimet pa një rezultat lidhur me dy komisionet e posaçme parlamentare të drejtuar nga Fatmir Xhafaj dhe Erion Braçe. Ajo tha se nga këto dy komisione nuk ka asnjë produkt konkret dhe as është sqaruar se cilat kanë qenë qëllimet apo përfitimet reale.
Zhupa akuzoi mazhorancën se po pret legjislaturën e ardhshme për të miratuar ndryshime të rëndësishme në Kodet ligjore, në përputhje, sipas saj, me interesat politike të kryeministrit.
Ina Zhupa: Ky Kuvend ka ngritur dy komisione të posaçme, të cilat u ngritën e drejtohen nga zoti Xhafa e Braçe, dhe në dijeni time mbyllet ky Kuvend pa pasur asnjë lloj produkti dhe pa kuptuar se kush ishin arritjet e këtyre komisioneve apo qëllimet, ose se çfarë fitoi Shqipëria nga këto dy komisione të ngritura në mënyrë të njëanshme nga mazhoranca.
Apo, po prisni legjislaturën tjetër në mënyrë që të keni më shumë vota e të keni mundësinë të ndryshoni edhe kodet në varësi të orekseve të kryeministrit e mazhorancës.
Në lidhje me projektligjet, të paktën ato që thatë në fushatë e thatë sikur do i bënit ju, por e morët ju programin e PD dhe e citoi Edi Rama. Le të kalojmë minimumin jetik, le të kalojmë mundësinë që shqiptarët të jetojnë me dinjitet, para se të mbyllni këtë Parlament nëse keni vullnetin të mbani të paktën një % të vogël nga ato mashtrime që keni thënë gjatë fushatës.
()