Familja Reçi nga fshati i thellë malor Brret, vetëm 3 kilometra larg Krujës, vijon të jetojë në kushte ekstreme, në një çadër të kalbur që prej tërmetit shkatërrimtar të vitit 2019. Gjashtë anëtarë të kësaj familjeje, mes tyre tre fëmijë, nuk kanë ende një strehë të sigurt, ndërsa ndihmat e dhëna deri më tani janë të pamjaftueshme për të përballuar realitetin e tyre të përditshëm.
Gazetarja Klaudja Mertkola e “Tak Fak”, bashkë me Agron Reçin – kryefamiljarin, u ngjitën në majat e thyer të Brretit për t’u rikthyer me ndihma nga “Fundjavë Ndryshe”: ushqime bazë, veshje dhe këpucë për fëmijët. “Shita delet për t’i çuar fëmijët në shkollë,” tregon Shpresa, bashkëshortja e Agronit, ndërsa një ndër fëmijët vijon të mos ndjekë mësimet për shkak të mungesës së mjeteve ekonomike dhe distancës.
Pas dorëzimit të ndihmave, Klaudja dhe Agroni u nisën drejt Bashkisë së Krujës në përpjekje për të takuar kryetarin Artur Bushi. Por, në recepsion iu komunikua se “kryetari nuk është” dhe kontakti i drejtpërdrejtë u pamundësua. Telefonatat e shumta nga Agroni dhe Klaudja mbetën pa përgjigje.
“Zoti para, kryetari mbrapa”, shprehet i revoltuar Agroni, ndërsa shpalos mesazhet e shkëmbyera më herët me Bushin, i cili i premtonte mirëkuptim si “bashkëfshatar”. Por realiteti është se, pavarësisht një granti prej 34 milionë lekësh të dhënë nga bashkia, ndërtimi në atë zonë të vështirë malore është i pamundur për familjen, pasi vetëm infrastruktura do të konsumonte më shumë se gjysmën e fondit.
Gazetarja më pas shoqëroi Agronin te kryeplaku i fshatit, Pëllumb Kulla. Ky i fundit pranon se është në dijeni të situatës dhe se “ka informuar instancat”, por se në kohë fushate çdo vendim është bllokuar. Ai pranon gjithashtu se një zgjidhje më e arsyeshme do të ishte sigurimi i një hyrjeje në Krujë ose Fushë Krujë.