Presidenti i Republikës Bajram Begaj në fjalën përmbyllëse të Samitit të SEECP (Procesi i bashkëpunimit të Evropës Juglindore) duke folur për zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme, deklaroi se Shqipëria shpreh shqetësim për tensionet mes Izraelit dhe Iranit.
Sipas tij, ky konflikt ka pasoja serioze për Lindjen e Mesme e më gjerë ndaj palët të bëjnë përpjekje diplomatike për të shtensionuar situatën dhe për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme.
Begaj tha se Shqipëria riafirmon të drejtën e Izraelit për sigurinë dhe mbrojtjen qytetarëve të vet. Por nga ana tjetër, “i bëjmë thirrje Iranit të ndalojë programet bërthamore e balistike dhe të përmbushë detyrimet e tij në përputhje me ligjin ndërkombëtar përfshi Traktatin për mos përhapjen e armëve bërthamore”.
Bajram Begaj: Shqipëria shpreh shqetësim për tensionet mes Izraelit dhe Iranit. Ky konflikt ka pasoja serioze për Lindjen e Mesme e më gjerë.
Shqipëria riafirmon të drejtën e Izraelit për sigurinë dhe mbrojtjen qytetarëve të vet. Po ashtu i bëjmë thirrje Iranit të ndalojë programet bërthamore e balistike dhe të përmbushë detyrimet e tij në përputhje me ligjin ndërkombëtar përfshi Traktatin për mos përhapjen e armëve bërthamore.
Shqipëria i bën thirrje të gjitha palëve për përmbajtje maksimale dhe përpjekje diplomatike për të shtensionuar situatën dhe për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme.
Këto konflikte janë për Evropën Juglindore këto konflikte janë një paralajmërim dhe një kujtesë për brishtësinë e paqes dhe shpejtësinë me të cilën mund të përhapet paqëndrueshmëria.
Shqipëria do të vazhdojë të luajë një rol aktiv dhe të përgjegjshëm në bashkëpunimet rajonale, dhe mbetet e përkushtuar ndaj parimeve të kësaj platforme dhe çështjeve të rëndësishme që lidhen me stabilitetin rajonal, zhvillimin ekonomik dhe reformat drejt integrimit evropian . Ne rikonfirmojmë angazhimin tonë për marrëdhënie të fqinjësisë së mirë, bashkëpunim rajonal dhe promovim të paqes, stabilitetit dhe prosperitetit.
Për këtë arsye, vendet e BE-së duhet të ofrojnë mbështetje politike dhe konkrete për vendet aspirante në BE, në rrugën e tyre të anëtarësimit, në axhendën e reformave duke garantuar që perspektiva e integrimit, të mbetet reale, e prekshme dhe e besueshme për të gjithë rajonin. Shqipëria po ecën me ritme të shpejta drejt integrimit evropian, teksa vazhdojmë ti qëndrojmë besnikë vlerave demokratike të NATO-s. Qëllimi ynë është mbyllja e negociatave në 2027 dhe integrimi në 2030. Ne po punojmë intesivisht për të arritur këtë synim madhor dhe kryesimi i SECCP ishte tjetër dëshmi i seriozitetit tonë në rrugëtimin evropian.
()