“Tak Fak”/ Jeta në çadër prej tërmetit të 2019-ës, familja Reçi mes malit dhe harresës: Shitëm delet për të çuar fëmijët në shkollë

Tre kilometra larg qytetit të Krujës, në zonën e thellë malore të fshatit Brret, jeton prej më shumë se pesë vitesh në një çadër familja Reçi. Prej tërmetit shkatërrues të 26 nëntorit 2019, banesa e tyre është shpallur e pabanueshme, ndërsa strehimi provizor është kthyer në strehim të përhershëm.

Gazetarja Klaudja Mertkola udhëtoi deri në zemër të këtij izolimi, bashkë me kryefamiljarin Agron Reçi, i cili e priti me kalë. Rruga për tek çadra, e vendosur mes shkurresh dhe terreni të thyer, është një përditshmëri rraskapitëse për familjen me tre fëmijë të mitur.

Agron Reçi tregon se Bashkia e Krujës i ka dhënë një grant prej 34 milionë lekësh për ndërtimin e një banese të re, por sipas tij, terreni i vështirë e bën të pamundur ndërtimin aty. “Rruga për të sjellë materialet kushton mbi 10 milion lekë. Me 18 milionët që mbeten, nuk ndërton dot një shtëpi për një familje me gjashtë vetë,” thotë ai.

E shoqja, Shpresa, rrëfen për kushtet ekstreme në çadër: “E kam lindur fëmijën e vogël këtu. Kur më erdhën dhimbjet e lindjes, më duhej të ecja në këmbë. Kam larë fëmijët jashtë, i kam dërguar në shkollë duke shitur delet, dhe sot të voglin nuk e çoj dot sepse s’kam me çfarë.”

Familja është e vetme në këtë fshat të largët dhe pa shkollë. Nga të gjithë zërat që dëgjohen, më i qarti është ai i nevojës: një strehë në qytet, ku fëmijët të kenë arsim dhe siguri. Agroni mban të gjitha dokumentet që provojnë përfitimin e grantit, por kërkon me ngulm një zgjidhje më funksionale: “Bashkia të na strehojë në Krujë ose Fushë-Krujë. Shtëpia për fëmijët, se ne të rriturit hajt…”

Në vitin 2025, ndërsa Tirana pret investime milionëshe dhe zhvillime të vrullshme, në Brret të Krujës, ka ende shqiptarë që jetojnë në çadër. Klaudja Mertkola përmbyll: “Deri kur do të mbeten njerëzit në harresë? A do të bëhet zëri i kësaj familjeje dëgjueshëm për autoritetet?”


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×