Pas muajsh shqetësimesh për një përplasje të mundshme me Tokën, astronomët kanë konfirmuar se asteroidi “2024 YR4” nuk do ta godasë planetin tonë.
Lajmi solli lehtësim në fillim të këtij viti, kur parashikimet sugjeronin një goditje të mundshme në Hemisferën Jugore para Krishtlindjeve të vitit 2032. Megjithatë, një skenar i ri ka dalë në dritë – këtë herë në qendër të vëmendjes është Hëna.
Sipas të dhënave më të fundit të analizuara nga shkencëtarët e NASA-s, në bashkëpunim me observimet e Teleskopit Hapësinor James Webb, është rritur ndjeshëm probabiliteti që “2024 YR4” të godasë Hënën më 22 dhjetor 2032. Sipas llogaritjeve të përditësuara, mundësia e një impakti është 4.3 përqind – një rritje nga vlerësimet e mëparshme prej 1.7 dhe 3.8 përqind.
Nëse kjo përplasje ndodh, NASA parashikon që asteroidi do të krijojë një krater me diametër rreth 1,200 metra në sipërfaqen e Hënës. Megjithatë, ekspertët theksojnë se, edhe në rast goditjeje, nuk pritet që ngjarja të ndikojë në orbitën e Hënës apo të ketë pasoja për Tokën, përfshirë ndikime në baticat oqeanike.
Asteroidi do të jetë i padukshëm për teleskopët tokësorë deri në vitin 2028, kur pritet të mund të vëzhgohet sërish për të përcaktuar më saktë trajektoren përfundimtare. Ndërkohë, komuniteti ndërkombëtar i astronomisë vijon monitorimin intensiv të këtij objekti qiellor.
Edhe pse Hëna ka përjetuar shumë goditje nga trupa të tillë në historinë e saj, kjo do të ishte hera e parë që një impakt i tillë mund të vëzhgohej “live” nga Toka – madje edhe me dylbi në kushte të favorshme moti.
Ndërkohë, shkencëtarët mbeten të përqendruar për të siguruar që çdo skenar i mundshëm të jetë nën kontroll të plotë dhe i dokumentuar për qëllime shkencore.
Arena e Lajmit