Në emisionin e kësaj të marte, ‘Në Shënjestër’ zbuloi detaje të reja nga historia e një prej narkotrafikantëve më të mëdhenj, Dritan Gjikës, lidhjet e tij me kupolën e lartë të policisë dhe politikës në Ekuador si dhe bashkëpunimi me biznesmenë të tjerë që e ndihmuan të fuqizonte aktivitetin e tij kriminal.
Me krijimin e kompanisë ‘Agricomtrade’, Gjika do të dërgonte kokainën përmes bananeve duke furnizuar vende të ndryshme në Evropë, mes të cilëve dhe në Shqipëri, kompania ‘Alba Exotic Fruit’.
Nga hetimet ka rezultuar se ‘Agricomtrade’ kishte dërguar nëpërmjet ‘Alba Exotic Fruit’ më shumë se 150 dërgesa me banane në Shqipëri.
Gjika mendohet se kishte punësuar nënkontraktorë vendas në Ekuador, të cilët kishin për detyrë të ruanin dhe të transportonin kokainën. Kjo gjithmonë sipas raporteve të përpiluara nga zyrtarë të antinarkotikëve.
Një shpjegim përse Gjika nuk ka asnjë firmë të tijën në aktivitetin e drogës. Ku ai herëpashere dinte të shpërblente nënkontraktorët e tij edhe duke i dorovitur me kokainë.
Siç kishte bërë në raste të ndryshme ku u kishte paguar atyre 10 kg kokainë, të cilat nuk u eksportuan, por u shpërndanë midis bashkëpunëtorëve të tij. Shpesh i cilësuar si një njeri i padukshëm.
Ose i dukshëm vetëm për shefat e korruptuar të policisë. Siç ishte dhe lidhja e tij me Tannya Varela. Drejtuese e lartë e policisë në Ekuador nga muaji mars 2021 deri në janar 2022 që sot është në hetim nga prokurori i Ekuadorit, si e lidhur me Dritan Gjikën e cila u shkarkua nga kjo detyrë nga Presidenti i Republikës pikërisht për lidhjet e dyshuara me trafikun e drogës.
Hetuesit në Ekuador besojnë se Varela nisi të ndihmonte Gjikën gjatë kohës që ajo kryente detyrën e saj në një aeroport në provincën e Guayas.
Nga ku mendohet se e ndihmoi atë duke vendosur disa oficerë policie të besuar në vende kyçe me qëllim për të lehtësuar operacionet e tij të trafikimit të drogës.
Por ashtu si çdo perandori edhe ajo e Dritan Gjikës, duket se pati lulzimin dhe rënien e saj. Rënie e cila nga sa kuptohet erdhi nga grykësia që kompanitë e Gjikës patën me kalimin e viteve.
Të cilat dolën jashtë kontrollit për shkak të territorit të madh ku ato shtrinë aktivitetin.
Ashtu siç u bë edhe ortakëria midis kompanive të Dritan Gjikës dhe një biznesmeni italo-argjentinas, të njohur si Mario Sanchez Rinaldi, që operonte në Costa de Sol në Spanjë. I cili u mor seriozisht me pastrimin e parave të organizatës së Gjikës. Si edhe të siguronte rrugë kalimi nga Kolumbia në Evropë.
Tonelata me drogë që vazhdonin të tërbonin autoritetet ligjzbatuese në Evropë. Të cilat tashmë kishin shënuar me rreth të kuq emrin e Dritan Gjikës, si furnitori kryesor që po përmbytte tregjet e tyre me kokainë. Siç ishte edhe një episod që lidhej me një ngarkesë prej 1 tonë kokainë që zbriti në një nga portet e Hollandës gjatë vitit 2020.
Gjika tashmë kishte ndërruar edhe modus veprimi duke sofistikuar gjithmonë e më shumë derdhjen e sasive të tilla të kokainës në Evropë.
()