Detaje tronditëse janë zbardhur nga dëshmia e Erion Alibej në Gjykatën e Posaçme, në kuadër të hetimeve për dosjen e bujshme “Plumbi i Artë”. Alibej ka pranuar përpara prokurorëve përfshirjen në trafikun e kokainës, ndërsa mohoi çdo përfshirje në vrasje.
“Në marrëveshje me Endritin dhe një shtetas turk – mik i familjes sonë – nisëm një ngarkesë prej 530 kg kokainë për në Turqi. Ne ishim biznesmenë që merreshim me aktivitete të paligjshme, por jo me vrasje. Investuam gjithçka te ajo ngarkesë,” u shpreh Alibej, duke shtuar se komunikimet për këtë aktivitet bëheshin në aplikacionin e enkriptuar Sky ECC.
Ai tha se kishin bashkëpunuar me Dritan Gjikën për këtë dërgesë që u nis nga Ekuadori drejt portit të Mersinit në Turqi. Por sipas tij, gjithçka mori një kthesë tragjike kur “dy personat më të rëndësishëm të kësaj ngarkese”, Endriti dhe shtetasi turk, u vranë.
“Përveç humbjes së dy njerëzve, kjo më rrënoi ekonomikisht. Deri për bukën e gojës e kam pasur të vështirë,” tha ai në sallën e gjyqit.
Në një akuzë të drejtpërdrejtë, Alibej përmendi edhe emrin e Suel Çelës, për të cilin tha: “Ka pasur interes që Endriti të largohej nga loja.”
Alibej hodhi hije të rënda dyshimi mbi integritetin e autoriteteve vendore: “Nga Prokuroria e Elbasanit dhe Policia, kam prova që janë të korruptuar.”