Në emisionin me “Zemër të Hapur”, në News24 me autoren dhe moderatoren Evis Ahmetin është trajtuar historia e humbjes së një 16-vjeçari Anxhelo Abidini, i cili është zhdukur në rrethana misterioze nga banesa e tij që nga muaji prill. Prindërit e tij ishin në studio për ta kërkuar live. Ata rrëfyen se djali i tyre ka pasur një problem me policinë, sepse i riu është përfshire në një vjedhje në qytetin e Korçës së bashku me një 30-vjecar, i cili aktualisht është në burg.
Nëna e të miturit tregoi se Anxhelo në muajin dhjetor të vitit të kaluar ishte larguar edhe njëherë nga banesa për 5 ditë. Ajo tha se pasi ishte kthyer Anxhelo i kishte treguar që kishte qëndruar tek stolat e qytetit. Sipas saj i mituri ishte përfshirë në një vjedhje të celularit së bashku me një 30-vjeçar dhe se me të ishte takuar rastësish ndërsa ishte duke luajtur futboll.
“Ka qenë data 2 prill dhe ora 14:00 kur ai ishte larguar nga banesa.Ai ka humbur edhe një herë tjetër në muajin dhjetor për 5 ditë. Anxhelo u kthye në shtëpi dhe kishte qëndruar tek stolat e qytetit. Ai më tha se kishte qëndruar me personat që i binin daulles dhe ishte ushqyer me ata.
Unë nuk e besoj se ai ka thënë të vërtetën. Arsyeja e largimit herën e parë mund të ketë qenë edhe paraqitje e tij, ose mund të jetë sepse ai paraqitej në polici çdo 10 ditë. Anxhelo u përfshi në një vjedhje të një celulari dhe sipas asaj që më tha djali ai e kishte takuar 30-vjeçarin rastësisht duke luajtur futboll. Ai i kishte kërkuar që të merrnin një gur dhe të thyenin xhamin e një dyqani dhe kishin marrë 7 celularë dhe Anxhelos i gjetën vetëm 1 celularë”, tha ajo.
Gjatë rrëfimit të saj, nëna theksoi se i mituri ishte dënuar me shërbim prove nga Gjykata për aktin e kryer. Më tej ajo shtoi se Anxhelo mund të ketë frikë që të përballet me masat e dhëna nga policia dhe po i shmanget drejtësisë.
“Anxhelo u dënua nga Gjykata me shërbim prove. Ai kishte një sjellje shembullore në shkollë. Pas tre ditëve që ishte larguar Anxhelo, bëra denoncimin në komisariatin e Korçës dhe Tiranës dhe disa persona më lajmëruan se mund të ishte në Tiranë. Unë dyshoj se ai po i shmanget drejtësisë dhe për shkak të dokumenteve. Ai gjithashtu ishte i mbyllur në vetvete”, përfundoi nëna e 16-vjeçarit.
()