Provimi i matematikës, MAS: Publikimi i tezës nuk cenon procesin

Ministria e Arsimit dhe Sportit informoi sot se provimi i Maturës Shtetërore në lëndën e matematikës po zhvillohet në përputhje të plotë me standardet e sigurisë të përcaktuara në rregulloren përkatëse dhe publikimi i tezës pas nisjes së provimit nuk cenon procesin.

Ministria e Arsimit dhe Sportit garanton të gjithë maturantët dhe opinionin publik se në 145 qendra provimi në të gjithë vendin testimi po vijon në një atmosferë të qetë dhe të sigurt, duke u dhënë mundësi të 27 mijë maturantëve të demonstrojnë njohuritë dhe aftësitë në lëndën e Matematikës.

“Publikimi i tezës së provimit pasi nxënësit kanë nisur testimin, nuk ndikon në mbarëvajtjen dhe integritetin e procesit”, theksoi MAS në një postim në rrjetet sociale.

Ministria dhe strukturat arsimore kanë ndërmarrë një sërë masash paraprake për të siguruar zhvillimin e drejtë dhe të barabartë të procesit të Maturës Shtetërore, përfshirë: mbikëqyrjen e ambienteve të provimit përmes kamerave të sigurisë, trajnimin e administratorëve, kontrollin e rreptë të hyrjes dhe daljes, si dhe krijimin e kushteve sa më të përshtatshme për të reduktuar stresin te maturantët për të arritur rezultate të merituara.

“Këto masa garantojnë një proces të besueshëm, transparent dhe të drejtë për të gjithë”, tha MAS.


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×