
Një mjek i akuzuar në lidhje me vdekjen e aktorit Matthew Perry është deklaruar fajtor për shpërndarjen e ketaminës te ylli i serialit “Friends”, sipas një marrëveshjeje për pranimin e fajësisë.
Salvador Plasencia, i njohur si Dr. P., dhe një nga pesë të pandehurit për vdekjen e aktorit në tetor 2023, pranoi fajësinë në një gjykatë federale të Los Angeles, gjë që mund të rezultojë në më shumë se 40 vjet burg.
Tre të pandehur të tjerë në këtë çështje, Dr. Mark Chavez; Kenneth Iwamasa, i cili ishte asistenti personal i Perry-t; dhe Erik Fleming, i cili dyshohet se furnizoi drogën, gjithashtu deklaruan fajtorë për akuzat e konspiracionit vitin e kaluar. Jasveen Sangha, i njohur si ‘Mbretëresha e Ketaminës’, është i vetmi nga të pandehurit që nuk e ka pranuar fajësinë dhe është në pritje të gjyqit.
Departamenti Amerikan i Drejtësisë akuzoi pesë personat se i përkisnin një rrjeti kriminal klandestin përgjegjës për shpërndarjen e sasive të mëdha të ketaminës, një substancë që u gjet në trupin e aktorit në kohën e vdekjes së tij.
Autoritetet thanë se Perry e mori ketaminën që i dha fund jetës nga Sangha, se shiringa iu dha nga Dr. Plasencia dhe se asistenti i tij personal, Kenneth Iwamasa, ia injektoi drogën aktorit ditën e vdekjes së tij, më 28 tetor 2023.
Në aktakuzën e tyre, prokurorët federalë pretenduan se të pandehurit përfituan nga “problemet e varësisë së Perry-t për ta shfrytëzuar atë dhe për t’u pasuruar”.