Kryetari i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi, i ftuar në studion e News 24, ka hedhur poshtë akuzat për abuzime financiare në këtë institucion, duke i cilësuar ato si “shashka të hedhura më kot”.
Gjinushi tha se në Akademinë e Shkencave nuk është keqpërdorur asnjë qindarkë dhe theksoi se të gjitha akuzat janë të pabazuara dhe jo konkrete. Ai foli për reformat e ndërmarra, bashkëpunimin me institucione të tjera shkencore, përfshirë Akademinë e Kosovës, dhe përmendi progresin në përfundimin e fjalorit shkencor. Sipas tij, ligji për Akademinë është përmirësuar, duke shtuar të drejtat dhe jo duke i kufizuar ato.
Skënder Gjinushi, kryetar i Akademisë së Shkencave: Akademia e Shkencave kërkon përmirësim të ligjit. Ne po zgjerojmë të drejtat, nuk po tkurrim të drejtat. Asnjëherë nuk ka qenë e ndaluar të rikandidosh në Akademi. Ligji nuk të zgjedh, të jep mundësinë të kandidosh ose të rikandidosh. Ligjin e ri e bëmë ne. Ligjin ia lëmë ta bënte parlamenti. Kuvendi ka vendosur më 2019 që të ketë tre mandate. Akademia e Shkencave nuk është organ kushtetues e ndaj Gjykata Kushtetuese nuk mund të marrë dot vendim për Akademinë. Asnjëherë s’ka qenë e ndaluar të rikandidosh për kryetar të Akademisë së Shkencave.
Mira Murati është anëtare e jashtme e Akademisë së Shkencave. Bashkëpunojmë shpesh me Akademinë e Shkencave të Kosovës. Fjalori ka marrë formë, po i bëhet një redaktim shkencor dhe do jepet një mendim për të në publik. Është në procesin e mbylljes. Po ndërmarrim reforma për t’i shërbyer sistemit akademik. Nuk është abuzuar me paratë publike në ASH askund. Hidhen shashka më kot, se bëhen akuza në ajër dhe jo konkrete.