Ashtu siç ishte parashikuar që prej ardhjes së tij në stol te Vllaznia, shkodranët do të ndryshonin stilin e tyre të lojës me Edi Martinin në drejtim. Diçka e tillë u vërtetua që në ndeshjen e parë miqësore kundër Vllaznia Elite, e cila ishte e para për 50-vjeçarin në drejtimin e kuqebluve pas kthimit të tij në Shkodër. Kështu, 9 herë kampionët e vendit u paraqitën totalisht ndrysh në aspektin taktik nga sa ishim mësuar të shihnim në 4-5 sezonet e fundit.
Një Vllazni e vendosur me skemën e qartë 3-5-2, ku në prapavijë iu besua futbollistëve si Kuros, Bajrami dhe Jazxhi, me treshen që formoi “murin” mbrojtës para portierit Qarri. Nga krahët, po ashtu ishin dy futbollistë me tipare më shumë mbrojtëse sesa sulmuese, si Gurishta djathtas dhe Jago majtas, të cilët duket se do të përshtaten dalëngadalë me idetë e Martinit, i cili po ashtu pret edhe kthimin e Hakajt e po ashtu arritjen e formës optimale nga Kruja.
Në mesfushë Vllaznia kishte krijuar “trafik”, ku treshja e parë që u prezantua ishin Sala, Qato dhe Mala. Ky i fundit ishte në pozicion disi më të avancuar, duke mbështetur dyshen e sulmit GrudaBalaj. Po ashtu, Martini u qëndroi besnik ideve të tij të lojës edhe në pjesën e dytë, pavarësisht se ndryshoi gjithë formacionin, por aspak stilin dhe qasjen që kërkon të përçojë te futbollistët me mënyrën e tij të futbollit që do të aplikojë.
Një Vllazni disi më ndryshe në këtë sezon 2025-2026, por që do të shihet nëse shkodranët do të jenë të aftë të interpretojnë siç duhet skemën 3-5-2, që ngelet më e preferuara e trajnerit Martini, me një ekip të kujdesshëm dhe stabil në prapavijë. Por që është gjithashtu i aftë të shfrytëzojë mjaft mirë daljet në sulm e po ashtu të “godasë” kundërshtarët nëpërmjet elementëve si Balaj, Mala apo Gruda.