Në analizën e tij në “Log.”, për rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE-së, analisti Lorenc Vangjeli tha se pavarësisht se kush ka qenë në opozitë, Partia Socialiste dikur apo Partia Demokratike sot, të dyja palët e kanë trajtuar Shqipërinë si një “agjenci funerale”, duke lënë në hije interesat e vendit për hir të agjendave partiake.
“Fiks 12 vjet më parë, socialistët atëherë në opozitë, për hatër të kryetarit të qarkut të Fierit, vendosën të mos votonin 3 ligjet e famshme që ishin kusht për integrimin,” kujtoi Vangjeli.
Ai shtoi se ky veprim ishte simbol i polarizimit ekstrem, ku përplasja politike e ktheu Fierin në më të rëndësishëm se Brukseli.
Kjo sjellje, sipas tij, nuk është rastësore, por një model që është përsëritur me radhë nga çdo opozitë.
“Pala që është në opozitë, njëlloj socialistët dje dhe demokratët sot, e shikon Shqipërinë si një agjenci funerale dhe është e gatshme të bëjë gjithçka, duke harruar pasojat e drejtpërdrejta mbi shoqërinë shqiptare.”
Vangjeli u ndal edhe tek pasojat historike të kësaj sjelljeje politike. Ai përmendi dështimin e referendumit të vitit 1994, zgjedhjet e trazuara të 1996-ës, si dhe helmimin e institucioneve demokratike si momente që i ndërprenë Shqipërisë rrugën e natyrshme të zhvillimit.
“Në atë kohë, Shqipëria ishte në të njëjtin nivel me Bullgarinë. Por fraktura politike e asaj periudhe, shoqëruar me anarki të cilën shumë e quanin ‘liri’, e shndërroi vendin në një makth, pasojat e të cilit i vuajmë ende sot.”
Ai theksoi se bashkëjetesa e dy partive të mëdha ka funksionuar si një barrë për shoqërinë shqiptare, duke penguar progresin e saj.
“Djegia e mandateve, bojkoti i zgjedhjeve lokale, janë akte kriminale dhe idiote,” shtoi Vangjeli.
Lorenc Vangjeli: Nëse abstragojmë vetëm një cast. Fiks 12 vjet më parë socialistët atëherë në opozitë, për hatër të kryetarit të qarkut Fierit vendosën të mos votonin 3 ligjet e famshme që ishin kusht për integrimin.
Shpërtheu rrëmujë e madhe, në një moment të caktuar pikërisht për polarizimin e skajshëm të palëve, doli që Fieri ishte më i rëndësishëm se Brukseli.
Pala që është në opozitë që e shikon Shqipërinë, njëlloj socialistët dje e demokratët sot, si një agjenci të madhe funerale, është e gatshme të bëjë gjithçka duke harruar që pasoja e tyre direkte dhe e drejtpërdrejtë mbi shoqërinë shqiptare.
Mungesa e një zgjidhje politike, duke nisur pas asaj që ndodhi me referendumin e dështuar të ’94, me vitet e trazuara ’96, me helmimin e institucioneve të zgjedhjeve, ndërprenë një udhëtim normal të Shqipërisë që ishte në nivelin e Bullgarisë.
Ajo frakturë historike që i ndodhi Shqipërisë, ashtu siç ishte e dërrmuar në anarki që e konsideronte dhe liri, u shndërrua papritur në një makth pasojat e të cilës i vuajmë ende sot.. Bashkëjetesa mes dy forcave politike që kanë kushtëzuar vendin tonë, për fatin e keq të shoqërisë shqiptare kanë qenë duar të kapura pas xhaketës së shoqërisë që ka ecur. 1/3 e shqiptarëve janë qytetarë evropianë, të cilët pas 3 ditësh kur vijnë shkelin rregullat.
Djegia e mandateve, bojkoti i zgjedhjeve lokale, janë dy akte edhe kriminale dhe idiote që kanë nxjerrë nga shinat opozitën shqiptare. Nëse kupton ca ka ndodhur atëherë kupton dhe rezultatin e 2021.
()