Drejtuesi politik i Partisë së Lirisë në qarkun Elbasan, Edmond Haxhinasto, i ftuar në studion e Neës 24 iu ‘përgjigj’ Endrit Braimllarit, pasi ky i fundit ishte shprehur më herët se tek PS ka parë një parti politike të organizuar më mirë se partia ku ka aderuar më herët.
Haxhinasto u shpreh se PS në zgjedhjet e 11 majit përdori patronazhistë, bandat dhe resurset shtetërore në mënyrë masive. I pyetur se çfarë ka thënë në Partinë e Lirisë, Ilir Meta pasi nuk fitoi dot mandatin e deputetit, Haxhinasto deklaroi se kreu i PL me qetësi ka thënë se Partia e Lirisë ka marrë vota gjaku dhe të punohet për kauza kombëtare.
Gazetarja Ola Bruko: Endrit Braimllari, që ka qenë në Partinë e Lirisë dhe në zgjedhjet e 11 majit konkurroi si kandidat për deputet me PS ka deklaruar se në PS ka parë një punë në terren, që nuk e ka parë në parti tjetër.
Drejtuesi politik i Partisë së Lirisë në qarkun Elbasan, Edmond Haxhinasto: Rezultati për ne ka qenë zhgënjyes, po bëjmë analizë të brendshme. Partia e Lirisë ka përparësi kauzat patriotike, kombëtare. Besoj se u punua shumë dhe opozita punoi në mënyrë serioze, por nuk mund të them dot nëse mesazhi arriti tek të gjithë qytetarët shqiptarë. Po krahasojmë dy gjëra të ndryshme, punën që mund të ketë bërë PS në terren me patronazhistë, duke angazhuar gjithë administratën publike, ishin njerëz që paguheshin, njerëz që duhet të sillnin vota nga vendi apo diaspora me atë që i bëhet propozim serioz qytetarëve, flitet për minimumin jetik, flitet për uljen e kostos së jetesës dhe rritjen e pagave (programi i Partisë së Lirisë).
Konkurrimi ishte i pabarabartë, që e thotë Lamberto Zannier nga OSBE. U përdorën asetet shtetërore dhe bandat. Ilir Meta nuk ka gabuar që konkurroi në listë të hapur, sepse nuk ka luftuar që të jetë në parlament, ai ka qenë e mbetet kundër sistemit zgjedhor. Të shohim nëse krimet zgjedhore do ndëshkohen. Meta, edhe pasi nuk fitoi mandatin e deputetit, na tha me qetësi se votat që ka marrë PL janë vota gjaku. Ilir Meta tregoi me shembull konkret sesi veprohet edhe në kushte ekstreme, edhe pse ndodhet në izolim. Sa i përket marrëdhënieve me PD-në, kemi raporte shumë korrekte me Partinë Demokratike. Në Shqipëri ka pasur masakër zgjedhore e kjo s’mund të mohohet.