Kryetarja e Komisionit për Çështjet Europiane, Jorida Tabaku, thotë se raporti “Rule of Law” i publikuar nga Komisioni Europian është një goditje e fortë për qeverinë shqiptare dhe për sulmet e zhvilluara ndaj SPAK.
“Nuk kisha parë një raport që niste në faqen e parë, i referohet arrestimit të Veliajt, që thotë aksione dhe reagime publike të paprecedenta nga ekzekutivi dhe legjislativi ndaj gjyqësor”, tha ajo.
Tabaku deklaron për gazetarin Osman Stafa se nëse zgjedhjet nuk mbahen siç e kërkojnë standardet europiane, Shqipëria mund të bëjë hapa pas në procesin e integrimit, ashtu siç ka ndodhur me Serbinë.
“Shqipëria është duke u kontrolluar për grupkapitullin e parë, sepse është hapur i pari e do të mbyllet i fundit. Nuk ka rrugë tjetër Shqipëria veç zhvillimit të zgjedhjeve të lira e të ndershme, që këtë radhë nuk ishin. Shumë vende të rajonit, për shkak të cënimit të grapkapitullit të parë kanë bërë hapa pas”, tha ajo.
Deputetja e PD-së thekson se zgjedhjet e 11 majit do të denoncohen dhe pritet që Partitë Popullore Europiane të sjellin në Shqipëri një mision fakt-mbledhës për shkeljet në procesin zgjedhor.
“Zgjedhjet së pari për PD nuk janë kapitull i mbyllur, presim raportin final presim një mision fakte mbledhës nga EPP, por nuk janë kapitull i mbyllur as për Komisionin e Jashtëm të PE. Në korrik do të miratohet raporti final. Menjëherë më pas komisioni do të bëjë një plan pune për mision fakt mbledhës në Shqipëri në fillim të 2026”, tha Tabaku.
Jorida Tabaku deklaroi se PD do të vijojë të thotë të vërtetën në çdo institucion ndërkombëtar për vjedhjen e zgjedhjeve të 11 majit.
()