Zjarri në Kodër Krastë të Elbasanit drejt shuarjes së plotë, ndërhyrje intensive për të mbrojtur parkun e gjelbër të qytetit

Mëngjesin e kësaj të mërkure, situata e krijuar nga një vatër e fuqishme zjarri në masivin me pisha të Kodër Krastës në periferi të qytetit të Elbasanit është drejt normalizimit të plotë. Zjarri u shfaq pasditen e së martës, pas orës 14:00 duke përfshirë me flakë një sipërfaqe prej afro 1 hektari të parkut të gjelbër të qytetit.

Pavarësisht përmasave të mëdha që morën flakët, falë ndërhyrjes së koordinuar të forcave zjarrfikëse të Elbasanit dhe Librazhdit, si dhe të Forcave të Armatosura, zjarri u vu nën kontroll gjatë orëve të vona të natës. Në terren u angazhuan 12 efektivë të Forcave të Armatosura dhe një mjet zjarrfikës i Detashmentit të Mbrojtjes Rajonale Mengël, të cilët luajtën një rol kyç në izolimin e zjarrit dhe parandalimin e përhapjes së mëtejshme të tij.

Aktualisht, situata paraqitet e qetë me disa vatra të vogla që po shuhen dhe monitorohen nga ekipet në terren. Djegia e trungjeve të pishave vijon ende në disa pjesë të zonës së Kodër Krastës , ndërsa punonjësit e shërbimit zjarrfikës janë të angazhuar për izolimin përfundimtar të zjarrit dhe eliminimin e çdo rreziku për riaktivizim për shkak të kushteve atmosferike, veçanërisht të erës.

Strukturat e mbrojtjes civile në bashkëpunim me autoritetet lokale dhe Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile mbeten në gatishmëri të plotë për të mbrojtur komunitetin dhe pasuritë natyrore të zonës nga çdo kërcënim i mundshëm.

()


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×