Nënkryetari i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, i ftuar në studion e emisionit “Log.” në News24, foli për rezultatin e zgjedhjeve të 11 majit dhe veçanërisht për qarkun e Elbasanit, ku ka vepruar gjatë përpara se të vendosej si drejtues politik në Shkodër.
I pyetur nëse rezultati në Elbasan do të kishte qenë më i mirë nëse ai do të kishte vijuar punën atje, Boçi u shpreh se nuk pretendon një gjë të tillë.
“Jam i bindur që zoti Alizoti ka bërë një punë të lavdërueshme, në maksimumin e potencialit të tij politik. Elbasani ka specifikën e vet dhe shpesh është goditur nga mënyra sesi janë menaxhuar fushatat. Organizimi politik në PD ka qenë thuajse i njëjtë në gjithë vendin dhe punuam në bazë të standardeve të unifikuara,” u shpreh Boçi.
Ai theksoi se pavarësisht angazhimit të çdo drejtuesi politik, rezultati u ndikua nga faktorë të jashtëm politikës.
“Përderisa nuk kemi pasur një proces zgjedhor të rregullt, metodat tona politike janë tejkaluar nga forma të organizimeve jo politike, kriminale dhe të tjera. Kjo është fatkeqësisht realiteti shqiptar,” tha Boçi.