Nga selia e Parlamentit Evropian në Strasburg, Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla ka shpërndarë një videomesazh të rëndësishëm ku e cilëson hapjen e zyrës së PE këtë vit në Tiranë, një sinjal të qartë se integrimi i Shqipërisë është afër dhe i sigurt.
“Parlamenti Evropian do të ketë edhe një seli të vetën në Tiranë, e cila do të shërbejë për të gjithë rajonin tonë. Përzgjedhja e Tiranës nuk është rastësore, por pasqyron mbështetjen e fortë të Parlamentit Evropian për një anëtarësim të shpejtë të Shqipërisë sonë në BE, por dhe përkushtimin për forcimin e institucioneve demokratike, sundimit të ligjit dhe të angazhimit me qytetarët shqiptarë,” u shpreh ministri Balla.
Balla theksoi se hapja e zyrës do të shërbejë si një nyje strategjike për thellimin e bashkëpunimit midis institucioneve shqiptare dhe atyre evropiane.
“Zyra në Tiranë do të shërbejë si një urë lidhëse thelbësore, duke nxitur dialogun, duke lehtësuar bashkëpunimin me institucionet dhe me shoqërinë civile shqiptare, duke siguruar që vlerat dhe zërat e qytetarëve të reflektohen plotësisht në procesin e vazhdueshëm të anëtarësimit të Shqipërisë sonë në Bashkimin Evropian.”
Ky sinjal inkurajon vizionin e qartë për rrugëtimin drejt BE-së të qeverisë shqiptare:
“Vizioni ynë është i qartë: ne synojmë të mbyllim negociatat e pranimit deri në vitin 2027 dhe të sigurojmë anëtarësim të plotë në BE brenda mandatit historik që na besuan shqiptarët më 11 maj, me një votë si asnjëherë tjetër më parë.”
Në fund të mesazhit të tij, ministri Balla shprehu përkushtimin për vlerat evropiane si themel të zhvillimit të vendit:
“Bashkimi Evropian nuk është thjesht destinacioni ynë, është pika referuese e qeverisjes, prosperitetit dhe solidaritetit për të cilën aspiron Shqipëria jonë e përbashkët. Ju përshëndes të gjithëve nga Strasburgu.”
Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla ndodhej në Strasburg për takimin e Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE–Shqipëri, ku përfaqësoi qeverinë shqiptare, duke renditur në fjalimin e tij arritjet që e bëjnë vendin tonë gati për anëtarësimin.