Tre shtetas shqiptarë, të akuzuar për përfshirje në grupe kriminale dhe përkrahje të personave të shpallur në kërkim, pritet të ekstradohen sot nga Emiratet e Bashkuara Arabe drejt Shqipërisë.
Ado Xhika (alias Ado Cërriku/Elkier Cërriku), Ervis Daka dhe Maksim Koçi akuzohen nga Gjykata e Posaçme për vepra të rënda, përfshirë planifikim vrasjesh dhe sigurim të mjeteve për krime.
Policia e Shtetit njoftoi se ekstradimi u mundësua falë bashkëpunimit të ngushtë me autoritetet e Dubait.
Gazetari Igli Çelmeta raporton për Arena e Lajmit se Ado Xhika alias Ado Cërriku alias Elkier Cërriku, akuzohet nga GjKKO-ja, se në kuadër të organizatës kriminale, ka përkrahur një shtetas të shumëkërkuar;
Ervis Daka, akuzohet nga GjKKO-ja, si pjesëtar i një organizate kriminale që ka planifikuar vrasje dhe si përkrahës i një shtetasi të shumëkërkuar;
Maksim Koçi, i akuzuar nga GjKKO-ja, për vrasje dhe sigurim të mjeteve për të kryer vrasje, të kryera në kuadër të organizatës kriminale, si dhe si përkrahës i një shtetasi të shumëkërkuar.
Njoftimi i policisë:
Policia e Shtetit
Si rezultat i bashkëpunimit të pandërprerë me partnerët në Emiratet e Bashkuara Arabe, pritet që gjatë ditës së sotme, të finalizohen procedurat për ekstradimin nga Dubai, në Shqipëri, të shtetasve të shumëkërkuar, pjesëtarë të organizatave kriminale:
- Xh. alias A. C. alias E. C., i akuzuar nga GjKKO-ja, se në kuadër të organizatës kriminale, ka përkrahur një shtetas të shumëkërkuar;
- D., i akuzuar nga GjKKO-ja, si pjesëtar i një organizate kriminale që ka planifikuar vrasje dhe si përkrahës i një shtetasi të shumëkërkuar;
- K., i akuzuar nga GjKKO-ja, për vrasje dhe sigurim të mjeteve për të kryer vrasje, të kryera në kuadër të organizatës kriminale, si dhe si përkrahës i një shtetasi të shumëkërkuar.
Në lidhje me orën e mbërritjes, do të ketë një njoftim tjetër.