Bota mund të përballet me tejkalimin e kufirit simbolik prej 1.5°C ngrohje globale brenda vetëm tre viteve, nëse niveli aktual i emetimeve të dioksidit të karbonit (CO₂) vazhdon, paralajmëron një vlerësim i ri nga mbi 60 shkencëtarë të shquar të klimës në botë.
Në vitin 2015, pothuajse 200 vende nënshkruan Marrëveshjen e Parisit, duke rënë dakord të kufizonin rritjen e temperaturës globale në jo më shumë se 1.5°C mbi nivelet e fundit të shekullit XIX, me qëllim shmangien e pasojave më të këqija të ndryshimeve klimatike.
Por që atëherë, vendet kanë rritur djegien e qymyrit, naftës dhe gazit dhe kanë shpyllëzuar masivisht, duke çuar planetin në një rrugë të rrezikshme.
“Gjithçka po lëviz në drejtimin e gabuar. Po shohim ndryshime të paprecedenta, ngrohje më të shpejtë dhe rritje më të madhe të nivelit të detit,” tha Prof. Piers Forster, drejtues i Qendrës Priestley për të Ardhmen Klimatike në Universitetin e Leeds.
Në vitin 2020, shkencëtarët vlerësuan se njerëzimi mund të lëshonte vetëm edhe 500 miliardë tonë CO₂ për të pasur 50% shans për të qëndruar nën kufirin 1.5°C.
Por në fillim të vitit 2025, ky “buxhet karboni” është tkurrur në vetëm 130 miliardë tonë, për shkak të emetimeve të larta dhe vlerësimeve më të sakta shkencore.
Me rreth 40 miliardë tonë CO₂ që lëshohen çdo vit, buxheti do të mbarojë brenda tre viteve, duke e vënë në rrezik arritjen e objektivit të Marrëveshjes së Parisit.
“Nëse tejkalojmë kufirin, kthimi pas do të jetë shumë më i vështirë. Çdo pjesëz e shmangur e ngrohjes do të thotë më pak vuajtje për njerëzit më të prekshëm”, tha Prof. Joeri Rogelj, nga Imperial College London.
Toka po nxehet më shpejt se kurrë më parë
Ngrohja globale po ndodh me një ritëm prej 0.27°C në dekadë, shumë më e shpejtë se çdo ngjarje e njohur në historinë gjeologjike të planetit.
Viti 2024 shënoi për herë të parë një temperaturë mesatare vjetore mbi 1.5°C, edhe pse ky ishte një devijim i përkohshëm i ndikuar nga modelet natyrore si El Niño. Shkencëtarët theksojnë se shkaku kryesor është njeriu.
Shumica e energjisë së tepërt të ngrohjes përthithet nga oqeanet, duke çuar në:
Ngrohje të ujërave dhe ndërprerje të ekosistemeve detare
Zgjerim termik të deteve (ujërat e ngrohta zënë më shumë hapësirë)
Shtim të nivelit të detit, që tashmë ka dyfishuar ritmin që nga vitet 1990
Këto efekte përbëjnë rrezik të drejtpërdrejtë për miliona njerëz që jetojnë në zona bregdetare.