Drejtoresha e Bibliotekës, Klodiana Gjata, i uroi mirëseardhjen ambasadorit dhe e njohu me misionin dhe aktivitetet e institucionit që ajo drejton.
Vizita e ambasadorit të Azerbajxhanit, Anar Huseynov, në Bibliotekën Publike “Dritëro Agolli” shënon një moment të rëndësishëm në ndërtimin e urave të reja bashkëpunimi ndërmjet Azerbajxhanit dhe institucioneve kulturore të qytetit të Fierit.
Ky takim përfaqëson një hap të qartë drejt forcimit të lidhjeve kulturore dhe akademike mes dy vendeve. Në fokus të diskutimeve ishin mundësitë e bashkëpunimit në fushat e kulturës, arsimit dhe promovimit të ndërsjellë të letërsisë dhe historisë.
Huseynov vlerësoi projektet e realizuara nga Biblioteka “Dritëro Agolli” dhe shprehu gatishmërinë për të mbështetur më tej këto iniciativa. Ai premtoi dhurimin e një fondi të vlefshëm librash në gjuhën shqipe dhe të huaj, si dhe përfshirjen e bibliotekës në një projekt kulturor që do të zhvillohet në Baku, Azerbajxhan.
Gjatë vizitës, ambasadori dhuroi disa tituj në gjuhën shqipe që trajtojnë kulturën, historinë dhe kulinarinë e Azerbajxhanit, duke pasuruar më tej fondin e bibliotekës dhe duke thelluar marrëdhëniet kulturore mes dy vendeve.
Në shenjë mirënjohjeje dhe mikpritjeje,biblioteka e Fierit i dhuroi z. Ambasador një set dhuratash simbolike. Drejtoresha, Klodiana Gjata, shprehu falënderimet e saj për këtë vizitë të veçantë dhe nënvizoi rëndësinë e saj për të ardhmen e bashkëpunimit ndërinstitucional.
Ky takim u cilësua si një fillim i mbarë për një bashkëpunim të frytshëm dhe afatgjatë!
()