150 kuota të reja/ Ministri Hoxha: Apel të rinjve e të rejave që t’i bashkohen Akademisë së Sigurisë

Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha ftoi të rinjtë e të rejat, që përfundojnë maturën, të aplikojnë në Akademinë e Sigurisë, gjatë një vizite që zhvilloi në ambjentet e këtij institucioni. I shoqëruar nga Rektori i AS-së, Ilirjan Mandro, ministri Hoxha pa nga afër masat e marra për vitin e ri akademik dhe për procesin e përzgjedhjes së kandidatëve të rinj.

Gjatë kësaj vizite, ministri Hoxha bëri një ftesë publike për të rinjtë që t’i bashkohen kësaj Akademie tashmë të akredituar në sistemin e lartë universitar, duke theksuar se: “ndodhemi në zemrën e formimit profesional të Policisë së Shtetit, në Akademinë e Sigurisë, për të ndarë me ju një thirrje dhe një mundësi reale për të gjithë maturantët e këtij viti shkollor. Së bashku me Rektorin dhe stafin akademik, ju ftojmë të konsideroni një rrugë jetësore që mbart mision, dinjitet dhe përkushtim, rrugën për t’u bërë punonjës policie.
Shkolla e Policisë ofron një formim cilësor, modern dhe të përputhshëm me standardet europiane të sigurisë publike. Ajo nuk është thjesht një shkollë, por është një derë që hapet drejt një karriere të qëndrueshme në shërbim të vendit dhe qytetarëve, – u shpreh Hoxha.

Më tej ai vuri në dukje se për këtë vit, janë parashikuar 150 kuota për t’u pranuar në AS.

“Këtë vit, – tha Ministri Hoxha – pas një procesi të hapur dhe konkurrues, 150 të rinj e të reja do të kenë mundësinë të përzgjidhen dhe të nisin formimin e tyre për t’u bërë pjesë e strukturave të Policisë së Shtetit. Për këtë arsye, i nxis të gjithë maturantët që e kanë të fortë idealin e shërbimit publik, që kanë vullnet për të kontribuar në rritjen e sigurisë në komunitet, të përfshijnë Akademinë e Sigurisë në preferencat e tyre dhe të garojnë me besim”.

Më tej ai vuri në dukje se “të jesh pjesë e Policisë së Shtetit nuk është thjesht një profesion, është një mision. Unë vetë vij në detyrën e Ministrit të Brendshëm, pas një karriere të gjatë në radhët e Policisë së Shtetit. Brenda dyerve të kësaj shkolle, mora dijet e para dhe forcova besimin se ky vend, përmes kontributit të të gjithëve ne, do të ketë një të ardhme më të mirë.
Është një zgjedhje që të vendos përballë sfidave të vërteta, por edhe në zemër të besimit që qytetarët kanë ndaj institucioneve. Është e domosdoshme që ky profesion të rinovohet me breza të rinj, të përgatitur dhe të përkushtuar. Në emër të Ministrisë së Brendshme, dua t’ju siguroj se të gjithë ata që zgjedhin këtë rrugë do të kenë mbështetjen e plotë për një trajnim të denjë, për një karrierë të drejtë dhe për një mundësi reale për të ndikuar pozitivisht në jetën e vendit tonë,” – përfundon mesazhin Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha.


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×