Elbasani, dy afrime vijnë nga Europa. Ja nevojat për Gvozdenoviçin

Klubi i Elbasanit vazhdon të jetë aktiv në prapaskenë për ndërtimin e skuadrës për sezonin e ri, por për momentin situata në merkato duket se ka ngecur.

Teksa drejtuesit janë përfshirë në shumë tratativa dhe janë përmendur emra të shumtë lojtarësh në media dhe ambiente sportive, konkretizimi i tyre ka mbetur në vendnumëro. Deri më tani, i vetmi përforcim i zyrtarizuar është ai i portierit çek, Martin Janaçek, i cili pritet të sjellë eksperiencë dhe siguri në katërkëndëshin verdheblu.

Kjo lëvizje është parë si një hap i rëndësishëm, por në të njëjtën kohë, një sinjal se pritet më shumë dinamizëm në ditët në vijim. Në ambientin sportiv dhe mes tifozëve ka një ndjenjë pritshmërie të madhe, pasi afatet për përgatitjet e fazës së parë po afrojnë dhe ekipi ende nuk ka një strukturë të plotë për të ndërtuar një grup konkurrues. Klubi duhet të përshpejtojë zyrtarizimet për të qenë gati për fillimin e përgatitjeve, që, sipas planifikimeve, do të nisin në javën e ardhshme.

Burime nga brenda klubit pohojnë se puna po bëhet me kujdes dhe pa nxitim, për të afruar lojtarët e duhur dhe për të ndërtuar një skuadër cilësore. Megjithatë, presioni për rezultate dhe kërkesat e tifozërisë kërkojnë që zyrtarizimet të mos vonohen më gjatë.

PRITET EUROPA – Burime pranë klubit bëjnë me dije se janë piketuar edhe dy futbollistë të rëndësishëm, të cilët aktualisht janë pjesë e ekipeve shqiptare që do të luajnë në Kupat e Europës gjatë kësaj vere. Bëhet fjalë për dy lojtarë me eksperiencë në elitën e futbollit shqiptar, të cilët janë në planet e trajnerit Gvozdenoviç për të përforcuar repartet kyçe të skuadrës. Megjithatë, për momentin transferimi i tyre është i pamundur, pasi ata janë të angazhuar me klubet respektive në përgatitjet për turin e parë të kompeticioneve europiane.

Elbasani është i vetëdijshëm se do duhet të presë për të siguruar shërbimet e tyre, por, nga ana tjetër, kjo është një lëvizje që tregon se drejtuesit po synojnë cilësinë dhe jo thjesht numrat. Strategjia është që të përfitohet nga dritarja e dytë e merkatos, kur ekipet që eliminohen nga Europa fillojnë të lëshojnë lojtarë. Këto prurje potenciale konsiderohen të rëndësishme në vizionin e klubit, i cili synon të ndërtojë një grup konkurrues për Kategorinë Superiore.


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×