Policia e Tiranës ka publikuar bilancin e 24 orëve të fundit, duke raportuar një sërë ngjarjesh që përfshijnë përndjekje, dhunë në familje, aksidente rrugore dhe shkelje të ligjit për mbrojtjen në punë.
Ndër të arrestuarit janë shtetas të shpallur në kërkim, drejtues mjetesh në gjendje të dehur dhe persona të dyshuar për ushtrim dhune fizike apo kërcënime. Po ashtu, janë regjistruar edhe incidente të rënda si një vdekje aksidentale dhe zjarre me dëme materiale. Autoritetet po vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e këtyre rasteve.
Njoftimi i Policisë së Tiranës:
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2:
-ndaluan shtetasin e shpallur në kërkim S. C., 38 vjeç, pasi Gjykata e Tiranës, më datë 30.04.2025, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg“, sepse dyshohet se në ambientet e lokalit të tij, ka goditur me sende të forta, një punonjëse të OShEE-së që kishte shkuar në këtë subjekt, për të parë matësin e energjisë elektrike;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit S. L., 50 vjeç dhe S. L., 29 vjeç, pasi dyshohet se për motive të dobëta, kanë goditur me grushte, njëri-tjetrin.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3:
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin P. D., 29 vjeç, pasi dyshohet se për motive të dobëta, ka kanosur një 38-vjeçar;
-shpallën në kërkim shtetasin B. A., 35 vjeç, pasi dyshohet se ka përndjekur ish-bashkëshorten e tij, e cila u pajis me urdhër mbrojtjeje. Punohet për kapjen e 35-vjeçarit.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 5 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin K. M., 34 vjeç, pasi dyshohet se për motive të dobëta, ka goditur me grushte, një 44-vjeçar.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, kapën dhe ndaluan shtetasin e shpallur në kërkim A. M., 49 vjeç, pasi Gjykata e Tiranës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6:
-arrestuan shtetasin A. K., 53 vjeç, pasi dyshohet se për motive pronësie, ka dhunuar xhaxhanë e tij;
-arrestuan shtetasin A. M., 65 vjeç, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”. Ditën e djeshme, 65-vjeçari ka njoftuar shërbimet spitalore, se kishte gjetur të pajetë, në një objekt në pronësi të tij, shtetasin që kishte punësuar për të kryer punime në këtë objekt, H. H., 58 vjeç, banues në Gramsh. Paraprakisht dyshohet se 58-vjeçari e ka humbur jetën gjatë procesit të punës në këtë objekt. Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po kryen hetime për të sqaruar dhe për të dokumentuar rrethanat e rastit;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin D. D., 35 vjeç, pasi dyshohet se për motive të dobëta, ka kanosur një 26-vjeçare.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Krujë:
-arrestuan shtetasin A. R., 53 vjeç, pasi u kap duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur;
-arrestuan shtetasin E. D., 37 vjeç, pasi ka dëmtuar lehtë me mjet prerës, në dorë, bashkëjetuesen e tij, pasi ka dhunuar atë dhe vëllanë e saj. Kësaj shtetaseje iu plotësua urdhri i mbrojtjes.
Specialistët e qarkullimit rrugor:
-arrestuan shtetasit E. P., 33 vjeç dhe E. S., 22 vjeç, pasi u kapën duke drejtuar automjetet, në gjëndje të dehur;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. Gj., 50 vjeç, pasi me automjetin që drejtonte, ka përplasur motomjetin që drejtonte shtetasi A. G. që është dëmtuar dhe aktualisht është në kujdesin e mjekëve;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. L., 18 vjeç, pasi nuk i është bindur urdhrit të punonjësit të Policisë, për të ndaluar motomjetin pa targë, që drejtonte;
-shpallën në kërkim shtetasin G. D., 44 vjeç, pasi me automjetin që drejtonte, ka përplasur motomjetin që drejtonte shtetasi E. A., dhe është larguar nga vendi i aksidentit. Shtetasi E. A. ka marrë ndihmë mjekësore dhe është larguar në banesë. Punohet për kapjen e 44-vjeçarit.
Ditën e djeshme, ka kallëzuar shtetasi B. H. se ka konstatuar mungesën e 2 elektromotorëve, në ambientet e subjektit ku është i punësuar si mirëmbajtës. Punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve, si dhe për sqarimin e rrethanave të rastit.
Ditën e djeshme, në fshatin Zall-Dajt, dyshohet se si pasojë e një shkëndije elektrike, ka rënë zjarr në banesën e shtetasin B. D.. Si pasojë pati vetëm dëme materiale. Punohet për dokumentimin e rrethanave të rastit.
Rreth orës 08:00 të mëngjesit të sotëm, te “Brryli”, dyshohet se si pasojë e një defekti në sistemin elektrik, ka marrë flakë automjeti me drejtues shtetasin D. B.. Si pasojë pati vetëm dëme materiale. Punohet për dokumentimin e rrethanave të rastit.
Informacion paraprak/Rreth orës 10:35, në rrugën “Egnatia”, dyshohet se aksidentalisht ka rënë nga lartësia e pallatit ku banonte shtetasja B. Xh., rreth 88 vjeçe, e cila për pasojë ka humbur jetën. Punohet për sqarimin e plotë e rrethanave të rastit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.