
Moda dhe futbolli takohen përsëri në Paris, me Kylian Mbappe që bëhet fytyra e koleksionit të ri për meshkuj të Dior për verën 2026. Superylli i Real Madridit dhe ambasadori i markës franceze që nga viti 2021, është protagonist në videot dhe fotot e para të koleksionit shumë të pritur, duke shënuar debutimin mbresëlënës të Jonathan Anderson si drejtor artistik i Dior.
Në rrjetet sociale të Dior, Mbappe shfaqet i buzëqeshur dhe i relaksuar, duke lidhur një kravatë me vija blu dhe të kuqe mbi një këmishë të çelët me vija të holla të bardha, ndërsa e kompleton pamjen me një xhaketë gri me katrorë diskrete.
Koleksioni, i cili do të prezantohet zyrtarisht të premten në Javën e Modës në Paris, shënon debutimin publik të Jonathan Anderson te Dior, pas qëndrimit të tij të suksesshëm te Loewe.
Zgjedhja e Mbappe si yll i fushatës nuk është rastësi. Siç tha Anderson, “Mbappe është zëri i një brezi“, ndërsa bashkëpunimi Dior-Mbappe bashkon botën e sportit, haute couture dhe kulturës bashkëkohore.