“Zgjedhjet u vodhën, rinumërimi i votave humbje kohe”, Genc Burimi: Nëse qëllimi është integrimi, të formohet qeveri e bashkimit kombëtar pa…

Analisti Genc Burimi, në një intervistë në News24, tha se rinumërimi i votave nuk ka kuptim, pasi zgjedhjet janë vjedhur. Burimi u shpreh se nëse qëllimi është integrimi në BE, duhet të formohet një qeveri e bashkimit kombëtar, pa Ramën kryeministër.

“Zgjedhjet janë vjedhur, rinumërimi i votave është humbje kohe. Rinumërimi i votave i shërben edhe maxhorancës, por edhe opozitës për të fituar kohë. Sali Berisha tha se manipulimi ka ndodhur që në fushatë, por se rinumërimi i votave është kërkuar nga kandidatët. Diskursi i Berishës, duam apo jo, mua më duket koherent. Nëse krahasojmë Shqipërinë qoftë edhe me Serbinë, atje ka shoqëri civile, ndërsa tek ne nuk ka shoqëri civile. Atje është rinia serbe që ngrihet në protestë, thotë nuk kam të bëjë fare me politikën. Në Shqipëri vetëm protesta kundër armëve kimike ka qenë jopolitike. Nëse integrimi është vërtetë prioritet, pse mos kemi një qeveri e PS-së, pa kryeministër Edi Ramën, me një zëvendëskryeministër nga PD-ja, dhe të kemi qeveri të bashkimit kombëtar me qëllim integrimin. Kështu mund të dilej nga kriza. Nuk jemi në këtë situatë, sepse opozita nuk e ka detyruar akoma Perëndimin ta bëjë këtë. Nëse ka flakadanë e bllokime, nëse ka artikuj në media ndërkombëtare që opozita nuk njeh zgjedhjet, mund të jetë problem. Opozita mund të imponojë në vijim, por të shohim si shkojnë gjërat”, tha Burimi.

Duke folur për situatën në PD, Burimi tha se nuk është punë e mediave që merren me atë se çfarë ndodh në Partinë Demokratike, por rëndësi ka produkti i kësaj partie politike. Ai shtoi se opozita sot në Shqipëri është më e bashkuar dhe më e fortë se asnjëherë më parë.

“Është hera e parë që Berisha po humbet zgjedhjet. Zelensky thotë se unë jam në luftë e nuk mund të jap dorëheqjen dhe s’më duket shokuese që Berisha nuk ka dhënë dorëheqjen. Sali Berisha më 2013 humbi zgjedhjet, i pranoi dhe dha dorëheqjen. Mua nuk më duket polemikë kjo. Nuk ka çfarë na duhet neve si media se çfarë bën një parti brenda saj. Ne na intereson të kemi demokraci dhe integrim në vend. Si organizohen partitë, nuk është punë e jona, pra e gazetarëve. Partia politike është një ndërmarrje. Ndërmarrja mund të japë qumësht, rëndësi ka produkti, por sesi funksionon ndërmarrja ne nuk na intereson. PD gjykon se zgjedhjet janë tjetërsuar dhe këtë e thotë OSBE ODIHR e nuk mund t’i hyjmë se ç’ndodh brenda partisë. Opozita sot në Shqipëri është shumë e fortë dhe e bashkuar”, deklaroi Burimi.


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×