Teuta Medja jeton në Laprakë. Ajo është nënë e 3 fëmijëve dhe jeton në një banesë që nuk ka drita dhe ndriçohet me qiri, sepse nuk ka lekë të paguajë energjinë.
Gazetarja e “Tak Fak” Klaudia Mertkola vizitoi nga afër banesën e Teutës ku mësoi se njërën vajzë, të cilën e ka nga një lidhje e mëparshme, në pamundësi për ta rritur dhe shkolluar e ka çuar te murgeshat në Laç.
Në shtëpinë e tyre të ndriçuar nga qiriri, pasi dritat mungojnë, varfëria është ulur këmbëkryq. Por sikur të mos mjaftonte as kjo, djali më i vogël i shtëpisë, 2 vjec vuan nga epilepsia.
Ata jetojnë prej 1 viti e gjysëm në këto kushte të mjerueshme, ku e paimagjinueshmja është realitet..
“Në shtëpi ka insekte, akrepë, minj dhe kam frikë se mos ma kafshojnë djalin. Vajzën e madhe e kam 12 vjec dhe e kam dërguar në një institucion që menaxhohet nga murgeshat. Prej 6 vitesh nuk e kam në shtëpi, ajo më kërkon të kthehet në shtëpi, por unë nuk kam shtëpi”, tregon gruaja me lot në sy.
Teuta dhe Leo janë bërë prindër në moshë të re. Sot ai është 25 vjec dhe Teuta 29 vjec. Më parë ata kanë jetuar në një shtëpi me qira kur Leo punonte dhe ishte në gjendje të paguante qiranë.
Teuta tregon se pas operacionit që iu desh të kryente djali i vogël, pronari e pushoi Leon nga puna dhe ata përfunduan në këtë banesë me kushte të tmerrshme, pa drita, dhe në gjendje të mjerueshme.
Por dashuria për njëri-tjetrin u jep forcë e besim, se zoti do të bëjë mrekulli me ta.
“Për djalin jap jetën, nuk do t’i lëshoj kurrë nga duart, as gruan as fëmijët”, thotë burri me lot në sy.
Ndërsa Teuta tregon se ka tentuar deri dhe vetëvrasjen pasi në këto kushte ku jeton, e fundit që mendon është të vdesë e mos të shohë fëmijët të rriten në mjerim.
“Unë e ngroh qumështin e djalit në një fuçi me ujë. Kam thirrur emisionin “Tak Fak” që ta shohin shqiptarët anembanë. Ju do të ikni por unë ju pres me një shpresë të madhe. I bëj thirrje shqiptarëve anembanë me sadopak të më strehojnë bashkë me djalin që më në fund t’i fikë këto qirinj”, thotë Teuta mes lotësh.
Gazetarja e “Tak Fak” Klaudia Mertkola bisedoi në telefon me drejtorin e Shërbimit Social Shtetëror Alfred Muharremi i cili konfirmoi se e njihte rastin.
“Është bërë një vlerësim emergjent duke parë prioritetin më të lartë që janë vetë fëmijët, duke kuptuar dhe pozicionin e gruas që është në procedurë divorci, po asistojmë me të gjitha procedurat që nga regjistrimi në bashkinë e Tiranës me qëllim ajo të përfitojë nga programet sociale.
Zonja ka regjistrimin civil në qytetin e Lezhës. Brenda 60 ditëve, pas pasaportizimit që ajo do të ketë në bashkinë e Tiranës, do të ndiqen të gjitha procedurat ligjore për përfitimin e shërbimeve sociale nga fëmijët e saj. Madje nga Shërbimi Social do të ofrohet dhe një strehë e cila do të subvencionohet nga bashkia e Tiranës”, u shpreh Alfred Muharremi për “Tak Fak”.
()