74 vjeçari Skënder Cena nga Kukësi, por me banim në Kamëz që nga fillimi i viteve ’90, është maturanti më i moçëm në Shqipëri. Në vitin 1973, si pasojë e një shpërthimi në Hidrocentralin e Fierzës ku punonte, i mori pjesërisht shikimin dhe nuk i mundësoi vazhdimin e shkollës së mesme. Në moshën 64 vjeçare tashmë me 5 fëmijë, ai vendosi ta fillonte shkollën e mesme, këtë herë në Kamëz dhe pas shumë vështirësive, por pa u dekurajuar kurrë, të diplomohej këtë vit pas dhënies të provimit të fundit që i kishte mbetur, atë të anglishtes.
Për Tak-Fak, Skënderi rrëfen nga banka ku kaloi 4 vitet e shkollës emocionet e ditëve të shkollës dhe besimin e entuziazmin që e mbajti gjallë deri në fund. Pas diplomimit ai dëshiron të vazhdojë edhe studimet e larta.
“Jam i lumtur, isha 56 vjeç kur fillova gjimnazin. Ditën e parë që u ula në klasë isha shumë i lumtur, nxënësit e tjerë më kujtuan për profesor dhe më pyesnin se çfarë lënde do t’ju jepja. Pastaj kur iu bashkova atyre si nxënës, krijuan një respekt për mua. Të gjithë mësuesit më kanë ndihmuar njëlloj, pa përjashtim. Mësuesi është më i shenjti në këtë botë pas Zotit dhe prindit.
Shkollën 7 vjeçare në atë kohë e kam bërë në Kalis të Kukësit. Kam qenë shumë mirë me mësime. Pasi mbarova 7-vjeçaren, nuk arrita të futesha në gjimnaz se kisha biografi të keqe. Pastaj e rinisa shumë vite më pas, nuk ishte e lehtë. Më shoqëronte vajza, herë djali apo vajza e vëllait. I falënderoj mësuesit e mi.
Tani kam dëshirë të filloj universitetin, por kam një problem, sepse më duhet një njeri pas vetes, një makinë për të çuar dhe sjellë në shtëpi. Dëshira është shumë e madhe ta kisha mbaruar edhe universitetin, pavarësisht moshës. Do të isha shumë mirënjohës nëse dikush do më ndihmonte në këtë rrugëtim tjetër të jetës sime” – u shpreh Skënder Cena në intervistën dhënë për Tak-Fak.
()