Kreu i PD Sali Berisha ka deklaruar sot se janë dorëzuar videot e para nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që dokumentojnë dyshimet për manipulime zgjedhore, duke theksuar se pamjet e marra deri më tani i përkasin kryesisht qarkut të Elbasanit.
Sipas tij, procesi i dorëzimit të videove nga KQZ drejt qarqeve të tjera është vonuar për shkak të mungesës së hapësirës për ruajtjen e materialeve me kapacitet të lartë. “Fillimisht na kanë dorëzuar pamjet e Elbasanit, tani presim edhe ato të qarqeve të tjera,” tha Berisha.
Ai shtoi se janë marrë gjithashtu disa video nga Vora, por këto të fundit rezultojnë të jenë të prera dhe të papërshtatshme për shqyrtim të plotë. Ndërkohë, Tirana është në pritje të materialeve filmike, pasi tashmë ka depozituar kapacitetin e nevojshëm për ruajtjen e tyre.
“Pasi të dorëzohen plotësisht nga KQZ, do të nisë shqyrtimi i tyre në detaje,” theksoi Berisha.
Pjesë nga fjala e Berishës:
Nuk janë marrë akoma videot, sepse ka pasur probleme me dorëzimin e videove nga KQZ, qarqeve që kanë kërkuar videot.
Tani janë dorëzuar atje sepse kërkonin depozita të mëdha me kapacitete të mëdha për marrjen e videove, dhe tani sapo të dorëzohen nga KQZ, do fillojë shqyrtimi i tyre.
Kjo është pra.
Videot e parë që janë dorëzuar nga KQZ, janë videot e Elbasanit, janë disa të Vorës, por ato të Vorës janë të prera në mënyrë të papërshtatshme.
Pret Tirana t’i marrë, ka depozituar kapacitetin për depon e videove, që ishte shumë i madh. Por u gjet dhe do dorëzohen.