249-vjetori i Pavarësisë së SHBA, mesazhi i të Ngarkuarës me Punë, Nancy VanHorn: Jemi me fat të kemi Aleatë si Shqipëria!

E Ngarkuara me Punë e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Nancy VanHorn, në fjalën e mbajtur me rastin e festimeve për 249-vjetorin e Pavarësisë së SHBA-së, të organizuar nga Ambasada amerikane tha se “Amerika është me fat që ka një aleat si Shqipëria”.

Nancy VanHorn tha ndër të tjera se, në fillim të këtij muaji, pa se si forcat shqiptare dhe amerikane punonin së bashku në Stërvitjen DEFENDER-Europë Përgjigje e Menjëhershme.

“U preka thellë kur dëgjova nga një prej partnerëve tanë shqiptarë historinë e një ushtari shqiptar të vrarë në aksion, ndërsa shërbente në kufi përkrah SHBA-së gati një dekadë më parë.

Ai la pas një vajzë të vogël – tani një vajzë e re. I kërkova zotërisë që ndau këtë histori me mua që t’i thoshte se sa thellësisht e vlerësojmë sakrificën e babait të saj. Ky është vetëm një shembull i sakrificave të shumta që kanë bërë edhe shqiptarët për të mbrojtur liritë tona dhe për të ndërtuar një botë më paqësore. Jemi me fat të kemi Aleatë si Shqipëria!”, u shpreh E Ngarkuara me Punë e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Nancy VanHorn

Fjala e plotë

Gjenerallejtënant Kingji, faleminderit për fjalën tuaj. Ju nuk jeni vetëm një partner, por edhe një mik. Faleminderit sponsorëve tanë bujarë dhe stafit tonë të përkushtuar që mbështetën këtë festë. Dhe faleminderit Kryetares së Kuvendit Spiropali, të nderuar ministra, ambasadorë dhe të nderuar të ftuar, që na u bashkuat në Ditën e Pavarësisë së Amerikës.

Amerikanët nderojnë 4 korrikun 1776, ditën kur të parët tanë nënshkruan Deklaratën e Pavarësisë, si Ditën tonë të Pavarësisë. Por, historia e kombit tonë fillon para asaj dite, me heronjtë që luftuan për të.

Ajo luftë nisi një vit më herët, në 1775, me fillimet e ushtrisë më të madhe që bota ka njohur ndonjëherë. Sonte festojmë jo vetëm vitin e 249-të të Amerikës, por edhe 250-vjetorin e Ushtrisë, Marinës dhe Korpusit të Marinsave të Shteteve të Bashkuara.

Më 14 qershor 1775, Kongresi Kontinental i mbledhur në Sallën e Pavarësisë në Filadelfia votoi për të bashkuar ushtritë territoriale nga të 13 kolonitë fillestare për të formuar Ushtrinë Kontinentale – institucionin e parë kombëtar të Amerikës.

Siç tha Presidenti Trump gjatë festimit të këtij guri kilometrik në Uashington disa javë më parë, në atë ditë “Liria mori mburojën e saj dhe pavarësia mori shpatën e saj. Ata patriotë të Ushtrisë së parë në Revolucionin Amerikan luftuan kundër një armiku të frikshëm dhe mundësive të pafavorshme, por ishin të armatosur me një kauzë të drejtë”.

Këto ushtri territoriale të fragmentuara, por të patrembura, tashmë kishin sfiduar pritshmëritë, duke zmbrapsur Ushtrinë Britanike më të madhe dhe më të mirë pajisur në betejat e Lexington, Concord dhe Bunker Hill, duke nisur një revolucion që do të ndryshonte rrjedhën e historisë.

Më 13 tetor 1775, në Tavernën “Tun” u mblodh një komitet për të shkruar kodet e luftës që themeluan Marinën e SHBA-së. Dhe një muaj më vonë, më 10 nëntor 1775, Korpusi i Marinës së SHBA-së mbajti fushatën e parë të rekrutimit në tavernë, duke ngritur dy batalione. George Washington festoi në Tavernën “Tun” emërimin e tij si Komandant i të gjitha forcave amerikane për të luftuar britanikët.

Këto vende – Bunker Hill, Salla e Pavarësisë, Taverna “Tun” dhe shumë të tjera – shërbejnë si kritere që ne amerikanët të kujtojmë se nga kemi ardhur, se çfarë përkrahim dhe sakrificat e burrave e grave të guximshme për të mbrojtur ato parime: lirinë, drejtësinë, demokracinë.

Sot, ju ftojmë të vizitoni kopjen tonë të Tavernës “Tun” dhe të ngrini një gotë me ne në nder të historisë së Amerikës dhe “kauzës së drejtë” të saj. Sepse siç e dimë mirë të gjithë, Revolucioni Amerikan ishte vetëm fillimi.

Gjatë dy shekujve e gjysmë të fundit, udhëheqja amerikane ka shtruar rrugën për një botë më të lirë, më paqësore dhe më të begatë. Por, nuk mund ta bëjmë këtë të vetëm.

Tashmë udhëheqësit tanë janë duke u kthyer në shtëpi nga Samiti i NATO-s, ku Aleatët u zotuan të investojnë 5 për qind të PBB-së së tyre çdo vit për kërkesat bazë të mbrojtjes. Ne po mbështetemi tek aleatët tanë që të bëjnë pjesën e tyre për të mbrojtur vlerat që të gjithë i çmojmë shumë.

Në fillim të këtij muaji, pata nderin të shihja se si forcat shqiptare dhe amerikane punonin së bashku në Stërvitjen DEFENDER-Europë Përgjigje e Menjëhershme. U preka thellë kur dëgjova nga një prej partnerëve tanë shqiptarë historinë e një ushtari shqiptar të vrarë në aksion, ndërsa shërbente në kufi përkrah SHBA-së gati një dekadë më parë. Ai la pas një vajzë të vogël – tani një vajzë e re. I kërkova zotërisë që ndau këtë histori me mua që t’i thoshte se sa thellësisht e vlerësojmë sakrificën e babait të saj. Ky është vetëm një shembull i sakrificave të shumta që kanë bërë edhe shqiptarët për të mbrojtur liritë tona dhe për të ndërtuar një botë më paqësore. Jemi me fat të kemi Aleatë si Shqipëria!

Falë sakrificës së kaq shumë amerikanëve dhe aleatëve mund të mblidhemi sonte për të festuar liritë tona. Ne mund t’i rrisim fëmijët tanë të sigurt për një të ardhme ku ata do të gëzojnë ato të drejta të patjetërsueshme të përjetësuara në Deklaratën e Pavarësisë, nënshkruar 249 vjet më parë: Jeta, liria dhe kërkimi i lumturisë.

[ngre gotën për një dolli] Ju lutem bashkohuni me mua për të nderuar këta heronj dhe për të festuar liritë për të cilat luftuan. Gëzuar Ditën e Pavarësisë dhe faleminderit për partneritetin tuaj!


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×