SPAK ka dhënë sot pretencën për 7 të pandehur të dosjes së bujshme “Metamorfoza”, ndërsa janë detajuar edhe akuzat për secilin prej tyre.
Në krye të listës së të akuzuarve qëndron Behar Brajoviq, i konsideruar si drejtues i grupit kriminal. Për të, prokuroria kërkon 15 vite burgim në një burg të sigurisë së lartë, nën akuzat: drejtim i grupit të strukturuar kriminal, sigurim i kushteve për kryerjen e veprave penale dhe korrupsion me zyrtarë të drejtësisë. Gjithashtu, është urdhëruar konfiskimi i një automjeti tip BMW, ndërsa Brajoviq do të përfitojë rikthimin e sendeve personale.
Pëllumb Gjoka, për të cilin SPAK kërkon 14 vite burg në burg të sigurisë së lartë, akuzohet për sigurimin e kushteve për vrasje, armëmbajtje pa leje, pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe korrupsion aktiv ndaj zyrtarëve të drejtësisë.
Edmond Preka përballet me 11 vite burg, i akuzuar për sigurimin e kushteve për krime dhe armëmbajtje pa leje. Autoritetet kanë urdhëruar konfiskimin e tre automjeteve: Mercedes Benz G-Class, C-Class dhe një tjetër tip Benz.
Ndërkohë, Astmer Bilali është dënuar me 10 vite burg për sigurimin e kushteve për vrasje dhe përfshirje në grup të strukturuar kriminal. Atij i janë sekuestruar disa pajisje celulare.
Ardit Hasanbegaj, i akuzuar për të njëjtat vepra si Bilali, rrezikon 9 vite burgim, ndërsa gjatë hetimeve iu sekuestruan pajisje celulare dhe fishekë.
Xhevahir Lita, ish-prokuror, përballet me 6 vite burg nën akuzat për korrupsion aktiv dhe pasiv. SPAK ka sekuestruar pajisje celulare dhe armë në zotërimin e tij.
Në fund, Oltion Bistri, për të cilin është kërkuar 9 vite burg, akuzohet për korrupsion pasiv, nxjerrje të të dhënave sekrete dhe pastrim të produkteve të veprës penale. Prokuroria ka kërkuar heqjen e sekuestros ndaj një pasurie të paluajtshme, në këmbim të konfiskimit të shumës 1.3 milionë euro.