Në Serbi, projekti për ndërtimin e një stadiumi të ri kombëtar në zonën e Surcinit, nuk po shkon si duhet. Edhe pse kanë kaluar 3 vjet që nga fillimi i punës, ritmi i ngadaltë ka bërë që njerëzit ta konsiderojnë iniciativën si një dështim.
Jo vetëm kaq, pasi për stadiumin, kostoja ekonomike duket shumë e lartë. Fillimisht, qeveria serbe njoftoi se stadiumi do të kushtonte rreth 250 milionë euro, por kostoja tani ka tejkaluar 400 milionë euro.
Për t’u theksuar mbetet fakti se projekti nuk është përfunduar as në 10% të saj, ndërkohë që rrugës kanë dalë edhe mjaft probleme të papritura, që kanë vështirësuar punën.
Stadiumi parashikohet të ketë një kapacitet prej rreth 52,000 vendesh, duke plotësuar standardet e UEFA-s për të pritur finale të kompeticione të rëndësishme.
Çështja e stadiumit të ri ka sjellë reagimin e partive opozitare në Serbi, të cilat e kanë kritikuar ashpër projektin, duke e quajtur atë një “prioritet të gabuar” në një vend ku spitalet, shkollat dhe rrugët kanë nevojë urgjente për investime.
(J.S/)