Ishte ndoshta rinovimi më i rëndësishëm te Vllaznia në këtë periudhë merkatoje verore, pasi kuqeblutë të cilët edhe për një sezon siguruan shërbimet e Esat Malës. 26- vjeçari do të luajë sezonin e katërt radhazi me fanellën e shkodranëve, ku gjatë këtyre viteve ka qenë ndër futbollistët kryesor të ekipit.
Sezoni 2024-25 ishte më i miri me Vllazninë dhe më i miri në karrierën e prizrenasit, i cili në kampionat arriti të shënonte 7 gola dhe të asistonte 12 të tillë, statistika që nuk i kishte shënuar më parë. E te 9 herë kampionët e vendit patjetër duan vijimin e asaj forme të ish-futbollistit të Partizanit. Por tashmë atij i duhet që këtë performancë ta shfaqë në një pozicion të ri në fushë.
Malën, në shumicën e karrierës së tij, e kemi parë të luajë në krahun e djathtë të mesfushës ose sulmit, pavarësisht polivalencës së tij në fushë. Por, me ardhjen e Martinit në krye të ekipit, pozicioni në fushë ka ndryshuar për Malën, kjo për shkak të skemës. Duke qenë se shkodrani aplikon shpesh vendosjen 3-5-2, Mala në këto ndeshje të para verore është aktivizuar në treshen e mesfushës qendrore.
Megjithatë, duke pasur një rol më të avancuar si mesfushor, duke mbuluar kështu rolin e fantazistit që ende po mungon te shkodranët. Deri në momentin që në skuadër të afrohet një mesfushor me tipare sulmuese, do të jetë Mala që do e mbulojë atë rol. Prizrenasi do të jetë një pikë kyçe në formacionin kuqeblu për sezonin e ri.
GURISHTA-HAKAJ – Në miqësoren e humbur ndaj Koperit në shifrat 3-5, në fushë për Vllazninë u aktivizuan të gjithë futbollistët, me përjashtim të dy prej tyre. Fjala është për mbrojtësit e krahut, Erdenis Gurishta dhe Esin Hakaj. Asnjë prej shkodranëve nuk u hodh për qoftë 1 minutë në fushën e lojës, duke u lënë kështu totalisht pushim nga ana e Martinit dhe stafit mjekësor.
Kjo, sipas asaj çfarë mëson gazeta, për shkak të mbingarkesës fizike për Gurishtën. 30-vjeçari, në mënyrë për të mos u rrezikuar për ndonjë lëndim të mundshëm, është preferuar të lihet pushim. Megjithatë, për mbrojtësin e krahut të djathtë nuk duket të ketë asgjë serioze dhe ai do të vijojë të jetë pjesë e seancave stërvitore dhe ndeshjeve miqësore në vijim gjatë qëndrimit të ekipit në Slloveni.
Po ashtu, edhe Esin Hakaj për shkak se e ka nisur stërvitjen disi me vonesë në krahasim me pjesën tjetër të grupit, ende nuk është në 100% të gjendjes fizike. Mëngjarashin po ashtu po merr formën e duhur nga dita në ditë dhe që në ndeshjen e radhës pritet të ketë edhe ai minutat e tij, në mënyrë që të kapë ritmin e duhur para zhvillimit të dueleve europiane kundër Daugavpils.