Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, është paraqitur sot në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), ku po mbahet seanca për shqyrtimin e kërkesës së tij për zëvendësimin e masës së sigurisë nga “arrest me burg” në një masë më të lehtë.
Në seancën e kaluar, prokurorët paraqitën një material prej 31 faqesh ku pretendojnë se kanë prova konkrete që justifikojnë nevojën për mbajtjen e Metës në qeli. Ndërkohë, pala mbrojtëse e ka quajtur këtë dokument të papërshtatshëm për të mbështetur vijimin e masës “arrest me burg”.
Ilir Meta ndodhet në paraburgim që prej tetorit të vitit të kaluar, nën akuzat për pastrim parash dhe fshehje të pasurisë.
Në përfundim të seancës, GJKKO është tërhequr për vendim, i cili pritet të shpallet në orët ose ditët në vijim.