Analisti Fitim Zekthi, i ftuar në rubrikën “Opinion” të moderuar nga Daljana Sejdia në News24, u shpreh se shoqëria shqiptare është indiferente aktualisht se çfarë ndodh me politikën, trazirë ka vetëm te partitë, më saktë në Partinë Demokratike.
Sipas Zekthit, dështon klasa politike sepse kemi të njëjtën klasë prej shumë e shumë vitesh, thjesht alternohen partitë, madje me të njëjtët liderë në krye. “Kjo është çështje e sistemit tonë politik, sepse ka dy parti të mëdha që rrinë në vend prej më shumë se 30 vitesh” – tha Zekthi.
Fitimi Zekthi: Ne jemi në trazirë politike, por kjo i përket vetëm rrafshit të partive politike. Shqipëria nuk është në trazirë politike, shqoëria shqiptare është totalisht indiferente. Është vetëm hall i politikës. Edhe trazira te partitë më shumë gjendet te PD. Partitë në Shqipëri nuk mund të përballen dot me të vërtetën. Shqipëria ka një histori problematike me zgjedhjet, ne nuk arrijmë të prodhojmë dy palë zgjedhje rresht që të njihen nga ndërkombëtarët plotësisht. Dështon klasa politike sepse kemi të njëjtën klasë prej shumë e shumë vitesh.
Ne jemi i vetmi vend në Europë që kemi dy parti të mëdha që alternohen me njëra-tjetrën, asnjë parti në kontinentin tonë nuk i afrohet 50%, këtu te ne i kalon. Jo vetëm që kemi dy parti të mëdha, por kemi dhe dy njerëz që qëndrojnë me 2-3 dekada, madje me të njëjtët ekipe. Atëherë kush është përgjegjësi?
PD në opozitë ka vetëm një synim të vetëm, që lidershipi i kësaj partie të ruajë kontrollin mbi opozitën. Po të rrish kaq gjatë në krye të partisë, nuk mund të jesh më në funskion të qytetarëve. Berisha tani ka arritur të fitojë kontrollin e plotë të opozitës nga një situatë shumë e pafavorshme që ishte pak kohë më parë. Por nga tjetër, kjo e lë PD në opozitë derisa të vdesë.
Sa i takon hetimeve për zgjedhjet nga SPAK, mund të arrihet deri te kandidatët për deputetë, pasi krimi zgjedhor në Shqipëri nuk mund të lërë gjurmë nga Kryeministri, kryetari i partisë, ministri e të tjerë. Nuk besoj se shkon shumë larg, është shumë e vështirë. As reforma zgjedhore nuk do t’i zgjidhte problematikën e zgjedhjeve. Kjo është çështje e sistemit tonë politik, sepse ka dy parti të mëdha që rrinë në vend prej më shumë se 30 vitesh. Akadamia politike në PS është një turp i vërtetë, duke treguar se çfarë mendësie ka qeveria shqiptare.
()